Fjalë Kyçe

Ndërmarrjet publike përplasen për laurën e Gërmisë

Ndërmarrjet publike përplasen për laurën e Gërmisë

Kalimi i laurës së Gërmisë në menaxhim të “Prishtina Parking” nuk ka kaluar pa zhurma.

Punëtorët e “Hortikulturës”, të cilët deri të mekurën kanë punuar në këtë pikë, kanë kundërshtuar të lëshojnë vendin e punës, megjithëse ekziston vendimi i miratuar nga Kuvendi Komunal në vitin 2019.

Pavarësisht pranisë së inspektoratit dhe zyrtarëve komunalë, ata refuzuan të bënin pranim-dorëzimin e detyrës pa praninë apo urdhrin e kryeshefit të tyre, Isak Rakovica.

Muhamet Ajeti, punëtor i “Hortikulturës”, ka treguar arsyen pse nuk po e lëshojnë laurën.

“Këtu kanë ardhur sot, po donë me na hekë. Vendim prej ndërmarrjes nuk kemi se ku kanë me shkuar këta 11 punëtorë që janë. I kanë bërë dy komisione nga Komuna dhe nga Prishtina Parking, kanë kërkuar të bëhet një komision edhe nga ndërmarrja jonë, por ne letër me shkrim nuk kemi nga ndërmarrja jonë që na thotë Muhamet prej sot keni me shkuar me këta punëtor në pikë tjetër, ne nuk e kundërshtojmë vetëm të dimë se ku të shkojmë. Me fjalë na kanë thënë të rrimë në vendin e punës”, ka thënë Ajeti.

Edhe dy sindikatat e “Hortikulturës” dolën për ta kundërshtuar dhënien e laurës në menaxhim të “Prishtina Parking”.

“Kjo pikë e laurës është vendosur nga Kuvendi Komunal dhe është e vetmja që mund të marr vendim se kujt i takon. Përndryshe përderisa nuk ka vendim nga Asambleja Komunale nuk do e lëshojmë. Do i ndjekim të gjitha instancat Ministria, Gjykata për këtë veprim. Është e ndjeshme për Hortikulturën për shkak se ne e kemi mirëmbajtjen e parkut të Gërmisë. Nëse kalon në Prishtina-parking ne i kemi automjetet për mirëmbajtjen dhe çdo hyrje këtu do na kushtojë”, tha Kryetari i Sindikatës së “Hortikulturës”, Shaip Arifi.

Në mbështetje të tyre ka dalë edhe asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes, Egzon Azemi, i cili thotë se do të kërkohet edhe seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal.

“E kam përmendur dy herë në seancën e fundit, fatkeqësisht nuk e kam marr asnjë koment. Kërkesa ka qenë që të mos luhet me ndjenjat e këtyre punëtorëve sepse secili prej tyre është prind dhe ka familje dhe sidomos në kohën e pandemisë barra e kryefamiljarit është më e rëndë. Ne bashkë me punëtor do fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme”, tha Azemi.

Rakovica ka thënë se pranim-dorëzimi i detyrës është bërë vetëm pas daljes së tij në vendin e ngjarjes. Ndërsa protestimin e punëtorëve për të mbajtur atë vend pune e quan vetëm një dëshirë të tyre.

“Dëshira është diçka tjetër ndërsa vendimet janë diçka tjetër. Ne e kemi një vendim të qartë se bordi i drejtorëve por edhe aksionarët e kësaj ndërmarrje duhet të zbatojnë vendimin e Komunës së Prishtinës si aksionar i vetëm i kësaj ndërmarrje ku thuhet qartë se menaxhimi i laurës bartet nga Holtikultura në Prishtina Parking. Realisht edhe me bordin dhe aksionarët kemi pasur disa takime dhe jemi në procedura të zbatimit të këtij vendimi.”

Sa u përket punëtorëve, me vendim të Komunës së Prishtinës thuhet se “kryeshefi ekzekutiv i Hortikulturës” mund t’i transferojë në vendet ku ka nevojë.

Sipas Liridon Restelicës, kjo ka qenë kërkesë e vet kryeshefit të ndërmarrjes “Hortikultura”. Ndërsa ka treguar se në laurën e Gërmisë do ta reduktojë edhe numrin e stafit.

“Të gjithë punëtorët do të mbesin punëtorë të Holtikulturës, kjo ka qenë edhe kërkesa e vet kryeshefit të ndërmarrjes sepse ai ka nevojë për punëtorë. Ka kërkuar që të njëjtit t’i transferojë në pozicionet ku ka me pas nevojë ndërsa ne i kemi angazhuar nga dje personat zyrtar të cilët tashmë veç janë në pozicionet e punës. Ajo pikë nuk ka pas nevojë për 11 punëtorë. Jemi specializuar në këtë fushë dhe tash dihet se kemi edhe orë policore dhe nuk guxojmë të qarkullojmë në atë kohë. Aktualisht mund të menaxhohet me 4 persona, me rastin më të ngulfatshëm do të jenë pesë. Ne i kemi planifikuar edhe periudhën e pauzës shkon e zëvendëson dikush”, tha Restelica.

Të kundërtën e thotë Rakovica. Sipas tij, është “Prishtina Parking” që nuk ka pranuar t’i trashëgojë këta punëtorë.

“Këta punëtor nuk do të mbesin rrugëve të gjithë punojnë, për pozicione do të shikojmë. Të gjithë punëtorët do të punojmë që të mbesin punëtorë të Hortikulturës pasi nuk i ka pranuar Prishtina Parking. Rrjedhimisht etike që krahas marrjes së punës është dashur t’i marrin edhe këta punëtor Prishtina Parking. Mirëpo është vendimi ku thotë se këta punëtorë mbesin në ndërmarrjen Hortikultura.

Të hyrat e kësaj laure derisa menaxhohej nga punëtorët e “Hortikulturës” kanë kaluar në buxhetin e Komunës së Prishtinës, që në një vit i sillte rreth 200 mijë euro”, tha ai.

“Të hyra nga laura në Gërmia mblidhen nga punëtorët e Hortikulturës që Komuna ka një kontratë për punën që ata kryejnë dhe të njëjtat shkojnë në Drejtorinë e Financave e pastaj bëhen bashkë me të gjitha tatimet tjera dhe shkojnë direkt në buxhetin e Komunës. Nuk adresohen direkt në drejtorinë e parqeve por i bashkëngjiten buxhetit në total të Komunës së Prishtinës”, tha Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve në Prishtinë.

Ndërsa tani e tutje, këto të hyra do të shkojnë direkt në ndërmarrjen “Prishtina Parking”.

Përveç laurës dhe parkingut, mirëmbajtjen e Parkut të Gërmisë do vazhdojë ta menaxhojë “Hortikultura”.