Sporti i Kosovës në zi! Ndërroi jetë legjenda e sportit të Kosovës, Skënder Sahiti.
Sahiti ka qenë prej portierëve më të mirë që ka pasur hendbolli i Kosovës. Ai në moshën 63-vjeçare ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.
Një emër i madh i hendbollit i cili me vite të tëra ka qenë portier i dëshmuar i Borcit në vitet e 70-ta dhe të 80-ta! Ai ka qenë pjesë e Borcit edhe në finalen e Kupës së Marshall Titos (ish Jugosllavisë).
Portier i dëshmuar dhe në fillim të viteve të 90-ta edhe në klubin e hendbollit Prishtina, pastaj shkoi në Itali dhe ku nisi edhe zejen e trajnerit.
Pas luftës rikthehet në Kosovë dhe një periudhë angazhohet edhe kryetrajner i klubit të hendbollit Kastrioti (meshkujt – ish Borci), një kohë edhe në KH Kosova e Vushtrrisë dhe e ndihmoi edhe Istogun femrat.
Përvoja e tij si portier dhe puna si trajner, u bartën të brezi i ri. Puna e tij dha frytet e tija, sidomos te KH Kastrioti. Ishte i dashur për të gjithë, një emër i respektuar dhe që shumë nga trajnerët merrni këshilla nga ai. Sahiti e drejtoi një periudhë Kastriotin edhe në garat evropiane. Synimi i tij ishte që ekipin ta shihte sikurse në vitet e 80-ta kur shkëlqenin në ligën ish jugosllave.
Ai gjithmonë thoshte se Ferizaj është qytet i hendbollit dhe ka talent të mëdhenj. Ai kishte dashuri të madhe edhe për kombëtaren e Kosovës dhe disa herë i ndihmonte edhe selektorët. Ishte i afërt me të gjithë dhe gjithmonë kishte primare rritjen e cilësisë. Sëmundja ishte ajo që ia preu misionin, ëndrrën për të vazhduar një rrugëtim ashtu siç e donte ai. Vdekja e hershme e tij është një humbje jo vetëm për hendbollin por në përgjithësi sportin.
Ai ka qenë një ambasador i hendbollit dhe në një gjeneratë më asat e këtij sportit, me të ndjerin Tahir Sojevën, pastaj Sefedin Reçicën, Besim e Bujar Qerimin, Alfred Llazarin, të ndjerin Basri Tupellën, Hasan Bajramin, Misret Maliqi, Aziz Makiqin, Muhamet Kilajn, etj.
Një gjeneratë e papërsëritshme dhe që dridhte klubet ish jugosllave. Në intervistën e fundit tha se e falëndëroi shumë gazetën kombëtare “Bota sot” e cila po bënë shumë për hendbollin dhe po e pasqyron të vërtetën. Këto fjalë i tha sa ishte në spital. Sahiti nuk do të harrohet kurrë, një emër i madh i këtij sporti.