Në Kosovë sot është shënuar Dita e Veteranit, në përkujtim të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Manifestimi qendror është mbajtur sonte në Prishtinë, nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka organizuar një pritje për veteranët në bashkëpunim me OVL-UÇK.
Haradinaj tha se Dita e Veteranit shënon sulmin në familjen Jashari, një sulm i hershëm, kur kurrkujt nuk i shkoi mendja se te shqiptarët ka armë dhe që ia kthejnë armët armikut.
“Sfidat nuk na dobësojnë dhe nuk do të na dobësojnë, na lodhin ato që vijnë pas shpine. Ato që vijnë përballë janë të lehta për luftëtarë. Ne kemi bërë çmos që askujt prej luftëtarëve të mos iu vijë pas shpine dhe prej njëri-tjetrit. Kemi ruajtur nderin e ushtarit. Ne s’kemi me lejuar me shti pyka mes luftëtarëve dhe me i përça dhe dobësuar ata që edhe ashtu rruga deri në liri i ka lodhur. Gjykata Speciale është në Hagë. Mos u frikësoni bashkëluftëtarë. S’jemi frikësuar nga formacionet e Millosheviqit, mos u frikësoni sot. Mos lejoni të bëheni e keqja e bashkëluftëtarit tjetër dhe tregoni nderin tonë si komb. Askush prej neve mos u fshihni, s’kini pse fshiheni. Mos të mendojë se është vetëm. Unë nuk jam vetëm. E kam pasur gjithë popullin mbrapa. Nëse më thirrin prapë, e di që nuk jam vetëm”, porositi Haradinaj, transmeton Kosovapress.
Haradinaj përmendi edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë përkrah gjithë ushtrive më të fuqishme të botës, përfshirë atë të SHBA-së, NATO-s dhe Shqipërisë.
Duke përkujtuar se është krenar që ishte ushtar i lirisë dhe i Adem Jasharit, kreu i Qeverisë së vendit pati edhe një porosi tjetër.
“Vrasjet e pasluftës nuk janë vrasje prej ushtarëve të UÇK-së. Nuk ka ushtar që ka luftuar për liri, që ka parë vdekjen me sy, që ka shpëtuar popullin e vet, që e vranë një vëlla të vetin pas lufte. Nuk ka shans. Nuk e bën ushtari atë, nuk e bën pas shpine, nuk e bën fshehtë, natën. Ajo është dora e armikut që e ka bërë, ta dini! Sa për ushtarin e lirisë, sa për mua kurrë një shqiptar, një njeri nuk do të kishte vdekur pas luftës në Kosovë. Të gjithë ishin gjallë ata që i vajtojmë sot, do të ishin me ne”, ka thënë ai.
Haradinaj ka treguar rastin kur është tragjikisht ka humbur jetën djali i heroit Shkëlzen Haradinajt, Shqipdoni, 11 vjet më parë, kur ishte goditur nga një autobus dhe ai së bashku me familjen e tij fali gjakun, pasi shqiptarët duhet të dinë të falin njëri-tjetrin.
Ai ka porositur bashkëluftëtarët e tij se edhe institucionet e vendit mund të gabojnë ndonjëherë, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, pasi shqiptarët nuk mund të jenë aleatë të rusëve, por të Amerikës dhe aleatët e saj.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka folur për sfidat dhe problemet me të cilat veteranët janë përballur deri në ditët e sotme, si dhe punën e shoqatave të dala të luftës për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së
“Sot edhe pas 20 vitesh të përfundimit të luftës po përballemi me sfida të padrejta. OVLUÇK duke mos u pajtuar me padrejtësitë ka bërë dhjetëra reagime dhe ka lëshuar qindra komunikata, ka organizuar shumë protesta dhe të gjitha këto i ka bërë për mbrojtjen legjitime të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe luftës çlirimtare”, ka thënë ai.
Ndërsa, Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kërkoi që të tregohemi vigjilent dhe çdo përballje të mundshme me armikun t’i përgjigjemi sikur në të kaluarën.
“Urime të gjitha me të mira për shtetin dhe kombin tonë. Shpresoj që kurrë e keqe të mos i ndodh këtij populli dhe vendi, por gjithmonë duhet të jemi vigjilentë dhe çfarëdo që të ndodhë t’i përgjigjemi qysh iu kemi përgjigjur edhe më herët”, porositi ai.
Për nder të kësaj dite, kryeministri Haradinaj ka ndarë medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu për familjen Jashari në shenjë respekti për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, për shërbim jetësor për veteranët e luftës së UÇK-së është nderuar Faton Klinaku.
Po ashtu, për kontribut jetësor në shërbim të veteranëve të luftës është nderuar me medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Avdyl Mushkolaj, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Deçan.
Gjatë ditës, OVL-UÇK ka organizuar homazhe në Prekaz e gjithashtu degët e kësaj organizate kanë organizuar homazhe nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë.Dita e Veteranit shënohet për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës. Kujtojmë se më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.