Fjalë Kyçe

Në fundjavë pritet takimi i Kurtit dhe Mustafes, ende ka shpresa për koalicionin

Në fundjavë pritet takimi i Kurtit dhe Mustafes, ende ka shpresa për koalicionin

Fundjava pritet t’i kthejë në tavolinën e bisedimeve Vetëvendosjen dhe LDK-në.

Një takim mes dy liderëve të partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, është paralajmëruar, por zyrtarisht partitë nuk kanë konfirmuar ditën e as orën e takimit, raporton KTV.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, shpreson se do të ketë marrëveshje brenda tri ditëve të ardhshme.

Osmani ka thënë se gjatë këtyre ditëve, pritet të ketë epilog përfundimtar të negociatave me Vetëvendosjen.

Edhe Vetëvendosje beson në marrëveshje bashkëqeverisëse me LDK-në, por pa lëvizur nga qëndrimi se Glauk Konjufca duhet të mbetet kryeparlamentar.

Kjo parti nuk e konsideron ultimatum deklarimin e LDK-së se marrëveshja duhet të arrihet gjatë kësaj jave.

Takimi i fundit mes dy liderëve të partive, Kurti-Mustafa është zhvilluar më 9 janar.

Ngërçi i bisedimeve u vu në pah edhe në komunikimet në distancë me letra e videomesazhe.

Albin Kurti, më 20 janar mori mandatin për të formuar qeverinë.