Fjalë Kyçe

Në Gjilan mbillen drunjë në prag të 11 vjetorit të Pavarësisë

Në Gjilan mbillen drunjë në prag të 11 vjetorit të Pavarësisë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar Komunën e Gjilanit, me ç’rast është takuar me kryetarin e komunës, Lutfi Haziri.

Në konferencë për media, Matoshi tha se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për mënyrën dhe kohën e implementimit të projekteve tona të përbashkëta në fushën e mjedisit në Komunën e Gjilanit.

“Unë jam i lumtur që projektet tona të përbashkëta janë pjesë e buxhetit të Kosovës. Këtë vit do të fillojmë me një projekt prej 700 mijë euro për krijimin e zonave të gjelbra në Gjilan, do vazhdojmë me një buxhet tjetër prej 250 mijë euro për lumin Mirusha për ta përfunduar këtë projekt. Do fillojmë këtë vit rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Dobërçan për të cilin MMPH ka ndarë 550 mijë euro. Po ashtu do të fillojmë këtë vit rregullimin dhe pastrimin e lumit Stanishorka në vlerë prej 100 mijë euro”, tha Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se vizita e ministrit Matoshi po bëhet në prag të festimeve të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Ne sot kemi në vizitë ministrin Matoshi, dhe kjo vizitë i ka sjell dy të mira, e para është se ne nga ky moment fillojmë shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë dhe e dyta është mbështetja e madhe e ministrit Matoshi për komunën tonë. Ne aspirojmë ta bëjmë Gjilanin qytet ekologjik, qytet të gjelbër”, deklaroi Haziri.

Ministri Matoshi dhe kryetari Haziri po ashtu kanë të vizituar shkollën fillore “Abaz Ajeti”, ku mbjellën 11 drunjë dekorativ nga 11 nxënës 11 vjeçar, në nder të shënimit të Pavarësisë së Kosovës.

Ne fund të vizitës së tij, ministri Matoshi dhe kryetari Haziri kanë inspektuar vazhdimin e punimeve në lumin “Mirusha” në Gjilan, projekt ky që financohet nga MMPH dhe ka vlerën totale rreth 3 milion euro.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se shpreson që ky projekt të përfundoj gjatë këtij viti dhe të përurohet më 28 nëntor 2019.