189 persona të ngujuar gjatë pandemisë janë kthyer sot në Kosovë. 149 qytetarë janë kthyer nga Franca, Gjermania dhe Zvicra, ndërkaq 40 të tjerë janë duke u kthyer nga Kroacia.
Sipas njoftimit nga Ambasada e Kosovës në Paris, 110 ishin duke qëndruar në Francë, 36 në Gjermani dhe 3 në Zvicër.
Siç bëhet e ditur për media, ata janë kthyer nga EuroAeroporti (Basel-Mulhouse-Freiburg).
“Sot nga EuroAeroporti (Basel-Mulhouse-Freiburg) udhëtuan për në Kosovë 149 qytetarë, prej të cilëve 110 ishin duke qëndruar në Francë, 36 në Gjermani dhe 3 në Zvicër. Për realizimin e këtij riatdhesimi i falënderojmë të gjitha institucionet me të cilat kemi bashkëpunuar, përfshirë institucionet tona dhe ato franceze, e në veçanti kolegët tanë të shërbimit të jashtëm (në MPJ në Prishtinë, Ambasadën tonë në Gjermani si dhe atë në Zvicër), si dhe kompaninë e fluturimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.
Ndërkaq sot 56 shtetas kosovarë janë kthyer nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkaq në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të ardhurit nga jashtë do të karantinohen sipas kritereve të vendosura nga institucionet.
“Nuk do të vendosën në karantinë personat me probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjet kronike. Personat e moshës mbi 70 vjeç (viti 1950 ). Fëmijët nën 18 vjeç që janë pa shoqërim të prindërve. Profesionistët që do të jenë në shërbim të parandalimit dhe luftimit të COVID-19 (mjek, polic, dhe pjesëtar të FSK-së). Personave që hyjnë në RKS dhe do të jenë përcjellës për varrime të familjarëve të tyre”, thuhet në përgjigje, duke shtuar se gjithashtu karantinimit nuk do t’i nënshtrohen as personat që e kanë kryer testin e COVID-19 në tri ditët e fundit pa ardhur në Kosovë.