Fjalë Kyçe

Në Lipjan vaksinat mbeten në stok, mjekët hezitojnë t’i marrin

Në Lipjan vaksinat mbeten në stok, mjekët hezitojnë t’i marrin

Rreth 80 vaksina “AstraZeneca” kanë mbetur në stok, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, përderisa gati gjysma e stafit mjekësor të kësaj qendre ende nuk është vaksinuar.

Hezitimi për ta marrë vaksinën më i theksuar është te punonjëset shëndetësore, nga droja për efekte anësore, teksa një pjesë e konsiderueshme thotë se nuk ka nevojë për vaksinim, pasi e kanë kaluar infeksionin.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, ka kërkuar nga stafi mjekësor, sidomos nga gratë, që ta marrin vaksinën.

“Ekzistojnë disa mendime nga disa gjinekologë të cilët nuk e preferojnë, por edhe aty është një periudhë e caktuar kur nuk po preferojnë ta japin, megjithëse nuk është tamam absolute dhe nuk kanë thënë që është tamam konkrete”, ka thënë ajo.

Ndonëse një numër infermieresh në QKMF të Lipjanit prapa kamerës kanë thënë se kanë hezituar ta marrin vaksinën, ato që janë vaksinuar kanë treguar se nuk kanë pasur ndonjë efekt anësor.

“Pasi e kam marrë vaksinën, pas 12 orëve kanë filluar simptomat, temperaturë, ethe, dridhje dhe kanë zgjatur 48 orë, por pas asaj kam qenë mirë dhe kam filluar me punën dhe jam në rregull”, është shprehur Ganimet e Qeriqi.

Ardian Shllaku, gjinekolog në QKMF në Lipjan, ka thënë se të gjithë duhet ta marrin vaksinën, pa dallim gjinie apo moshe. Ka shtuar se ata që e kundërshtojnë bazohen vetëm në thashetheme.

“Po ndoshta mund të jenë edhe të vërteta që zakonisht në Berlin dhe Gjermani apo në Australi, janë dhënë disa versione që femrat para moshës 50 apo 55-vjeçare nuk duhet ta marrin dhe meshkujt që janë para moshës 60-vjeçare. Nuk e di si qëndron saktësisht, por mendimi im si profesionist në lëmin që e ushtroj është se duhet të merren vaksinat te gratë shtatzëna, nuk ka diçka të keqe”, ka deklaruar Shllaku.

Sipas gjinekologut Shllaku, hulumtimet shkencore kanë vërtetuar se gratë duhet të vaksinohen, sepse vaksina nuk krijon efekte anësore.