Fjalë Kyçe

Në mars do të nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi në Washington

Në mars do të nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi në Washington

Gazeta Metro, ka mësuar nga Presidenca e Kosovës agjendën dhe dinamikën e bisedimeve midis Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të përfundojnë me një marrëveshje historike të nënshkruar në fillim të marsit, në Washington DC.

Burime mirë të informuara të gazetës përbrenda Presidencës së Kosovës kanë bërë të ditur se dinamika e negociatave do të jetë shumë më e shpejt se që mendohet, kjo nënkupton që gjithçka do të kryhet me një marrëveshje të nënshkruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij i Serbisë, Aleksandar Vucic, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Washington DC.

Por, para se të shkohet atje, një nënshkrim inicial paraprak do të ndodhë në Bruksel, kryeqytetin e Bashkimi Europian(BE).

“Një nënshkrim inicial do të bëhet në fund të muajit në shkurt në Bruksel, kurse që në javën e parë të muajit mars të bëhet nënshkrimi përfundimtar në Washington”.

Ky burim tregon se procesi do t’i përngjajë negociatave midis Kosovës dhe Serbisë që ndodhën në Rambuje, por që qyteti nuk do të jetë në Francë, por në Belgjikë, Bruksel.

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, është e interesuar që kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të kryhet sa më shpejt dhe se nuk do të tolerohet hezitimi i asnjërës palë.

Kjo e fundit që thotë burimi i Metros, thuhet edhe në letrën e Presidentit amerikan, Donald Trump “Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, thuhet në letrën e Trump dërguar Presidentit Thaçi.