Fjalë Kyçe

Në Portin e Durrësit kapen 143 kg kokainë që vinin nga Amerika Latine, u detektuan nga skaneri

Në Portin e Durrësit kapen 143 kg kokainë që vinin nga Amerika Latine, u detektuan nga skaneri

Një sasi e konsiderueshme kokaine është bllokuar sot në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për 200 pako kokainë të cilat ishin fshehur në një kontenier me banane që vinte nga Ekuadori.

Kontrolli i imët në ngarkesën nga Amerika Latine erdhi pasi kokaina u pikas nga skaneri.

Pas kësaj, përfaqësues të drejtorisë së përgjithshme të Policisë shkuan në port. Nga kontrolli brenda në konenier u gjetën 200 pako lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Mësohet se kontenieri i përket disa personave nga Tirana, emrat e të cilëve rezultojnë se nuk janë përfshirje në ndonjë vepër kriminale të mëparshme.

Kontenierë me banane nga Ekuadori i përket kompanisë “Masabi Fruits” me qendër në Kombinat, Tiranë.

Policia përmes një njoftimi në orët e mbrëmjes bëri me dije se është sekuestruar një sasi prej 143 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë e cila ishte fshehur në tavanin e kontenierit.

Në vendngjarje ndodhet një prokuror i SPAK, i cili po ndjek veprimet e Policisë në kontrollin dhe më tej peshimin e lëndës.

Kompania “Masabi Fruits” rezulton në emër të Klajdi Xibrakut dhe Erion Petit të cilët janë arrestuar nga policia.

“Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i Guayaquil në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “Gioia Tauro”, Itali, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë”, bën me dije policia.