Fjalë Kyçe

Në prag të ndeshjeve të Kosovës, hidhen mbetje ndërtimore afër stadiumit “Fadil Vokrri”

Në prag të ndeshjeve të Kosovës, hidhen mbetje ndërtimore afër stadiumit “Fadil Vokrri”

Persona të papërgjegjshëm kanë hedhur mbetje ndërtimore afër stadiumit “Fadil Vokrri”, në prag në ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2020”.

E ndaj kësaj ka reaguar organizata “Let’s Do it Kosova”, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj organizate, ka edhe persona të tjerë që bëjnë të njëjtin veprim, dhe mbetjet e tilla i hedhin nëpër hapësira publike.

Ky është njoftimi i plotë i Organizatës:

Let’s Do It është jashtëzakonisht e shqetësuar nga disa fotografi dhe video që kanë arritur në adresën tonë, në të cilat shihet një qytetar, i cili hedh mbetje ndërtimore te hapësira afër Stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në fotografitë dhe videot e dërguara në adresë të Let’s Do It shihet se si qytetari në fjalë hedh mbetjet ndërtimore nga automjeti i tij dhe të njëjtat i hedh në një hapësirë të pastruar afër Stadumit.

Madje, Let’s Do It merr vesh se i njëjti qytetar kryen me pagesë bartjen e mbetjeve të tilla ndërtimore, të cilat më pas i hedh nëpër hapësira publike që më parë ishin shfrytëzuar si deponi ilegale për hedhjen e mbeturinave.

Let’s Do It është jashtëzakonisht e shqetësuar nga pamje të tilla si dhe nga monitorimi ynë rezulton që ka edhe qytetarë të tjerë që kryejnë të njëjtën punë [Paguhen për t’i bartur mbetjet ndërtimore, të cilat më pas i hedhin në hapësira publike], andaj kërkon urgjentisht nga institucionet përgjegjëse lokale dhe qendrore që të reagojnë dhe të marrin masa ndëshkuese ndaj ndotësve të tillë, të cilët veprojnë kështu në mënyrë të vetëdijshme.

Po ashtu, kërkon nga kompanitë ndërtuese që të kenë kujdes se kë e angazhojnë për largimin e mbetjeve të tilla, në mënyrë që ato të përfundojnë nëpër lokacionet që janë caktuar për hedhjen e mbeturinave ndërtimore.

Kjo hapësirë përreth Stadiumit “Fadil Vokrri” është pastruar tri herë nga vullnetarët e Let’s Do It, dhe ishte ndotur sërish nga individ të tillë të papërgjegjshëm, të cilët shkatërrojnë hapësirat publike, duke i ndotur ato.

Madje, kemi bërë presion të vazhdueshëm te institucionet për largimin e tregut në atë hapësirë, pikërisht për shkak të mbeturinave dhe mbetjeve të shumta që i linin aty në fund të ditës shitësit e tregut.