Fjalë Kyçe

Nëna nga Ferizaj rrëfen momentin kur i biri i saj i tregoi se është homoseksual

Nëna nga Ferizaj rrëfen momentin kur i biri i saj i tregoi se është homoseksual

Emisioni Dokumentar “Pasojë” këtë javë sjell në spikamë problemet dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTI në Kosovë, duke shtjelluar aspektin përmbajtësor, psiko-social, institucional, lajmi.net nëpërmjet këtij dokumentari synon të hedh dritë mbi (mos)heshtjen e këtij grupi shoqëror, të margjinalizuar, por të padorëzuar.

Shemsie Musa-Çerkini ka rrëfyer se si e ka kuptuar që i biri i saj, tashmë 17 vjeçar i takon komunitetit LGBTI dhe si e ka trajtuar në fillim këtë çështje.

Musa-Çerkini gjithashtu është shprehur se ajo ka qenë e frikësuar për mirëqenien psiko-sociale të birit të saj, duke pasur parasysh mentalitetin e shoqërisë.

“Djali është 17 vjeçar, edhe qysh herët si fëmijë i kam vërejtur shenjat e tij që ka pasur shenja pak, gjeste pak më të ndryshme. Mirëpo duke e parë që ka qenë shumë i lidhur me vajzën, domethënë me motrën e tij edhe kam menduar që ndoshta që ajo po ndikon, edhe normal që ka pasur momente që edhe nuk kam dashur ta besoj se jemi të rritur me një mentalitet të tillë që pa dashur më është imponuar edhe mua, domethënë të mendoj. Pas një kohe kur ka filluar të rritet janë vërejtur ato edhe më shumë, mirëpo nuk kam pasur as unë guximin ndonjëherë të flas hapur me të sepse ka qenë edhe shumë i vogël, domethënë mosha 6-7 vjeçare ka qenë. Me kohën ka ardhur gjithçka duke u theksuar më shumë, duke u vërejtur më shumë, lëvizjet e tij, gjestet e tij edhe ka ardhur një moment ku kam dashur edhe unë me u siguru a është apo nuk është, sepse e kam vërejtur që ka filluar të mbyllet edhe ai në vete, ka filluar bullizimi në shkollë, fjalët që përdoren tek ne, po bën gjeste të femrave, po ec sikur femër, po fol sikur femër. Edhe kemi qenë të hapur me Agonin m’i ka tregu shpesh ato kur ka ardhur nga shkolla edhe e kam parë të arsyeshme që qysh në moshë shumë të hershme me bisedu me të edhe me pyt qysh ai po ndihet në lëkurën e tij edhe çfarë orientimi seksual ai ka. Edhe e kom pyet shumë haptas, Agon a je ti ky që sepse ka pasur momente më herët ndoshta kështu tërthorazi që kom dashur me kuptu diçka, ndoshta ndonjëherë edhe si në shaka edhe e ka pranuar po mami jam ky që jam, okej i kam thënë por je shumë i vogël, shumë fëmijë ndoshta nuk është kjo që ti po mendon presim edhe pak ka kohë nuk jam unë kundër por nuk dua që t’i të lëndohesh. Edhe i kam dhënë edhe atij kohë, edhe vetes ka qenë e vështirë nuk ka qenë e lehtë jo personalisht për mua por duke e ditur ku jetojmë, në çfarë mentaliteti jetojmë,kogja dert i kam bajt, qysh kanë me pranu shoqëria, domethënë e kam paramenduar jetën e tij deri në ato moshat shumë të mëdha ku ka me ardh momenti edhe me punu edhe qysh. Edhe më pas kam filluar ta qetësoj vetën jam munduar një kohë me punu me të vet por e kam parë që nënë mundem me iu bë por psikolog jo, janë njerëz ekspertë që merren me këto çështje dhe më pas kam kërkuar edhe ndihmën e tyre për mu siguru edhe unë a është ajo që ky po e ndien”, tha ajo.

Por, duke qenë se shoqëria kosovare jo çdo herë është e gatshme të pranojë gjëra të caktuara, prapë ndikimi nga të tjerët rrëmben njerëzit.

“Bisedën e parë kur e kemi bërë haptas nuk e kemi bërë në shtëpi se nuk ka dashur, kam dashur të jemi dikun duke ecur, dikun e lirë më është dukur më e arsyeshme që ajo ka me qenë ajo më e mira,jo dikun me një ambient të mbyllur por thjesht me ec edhe thjesht sikur të dalësh të shetitesh edhe bisedë shumë relaksuese me zhvillu. Kur e kam pyetur normale ka qenë ai momenti që nuk kam mundur as pyetjen t’ia bëj direkt, atë përgjigje që e kam dashur unë. Nëse më kujtohet, ‘i kam thënë Agon a është e vërtetë që ty të pëlqejnë personat e gjinisë së njëjtë’, domethënë nuk kam mundur ta them fjalën as gay, as homoseksual, asnjërën nga këto fjalë, edhe po e ka pranuar, sepse me Agonin në përgjithësi edhe me dy fëmijët e tjerë jam shumë e hapur edhe shumë e afërt edhe nuk dua që ata me u ndi të ngulfatur edhe mos me pas liri domethënë në familjen e vet, dhe gjithmonë jam munduar t’i kuptojë,t’i këshillojë, edhe pse ne prindërit mendojmë se gjithmonë e kemi të drejtë, por nuk është e vërtetë’. Ka qenë moment i vështirë normal, jo kur e di se çka u bë me mua tani, çka do të ndodhë, por thash ajo çka më së shumti më ka brengos ka qenë ky qysh ka mu pranu në shoqëri ky, domethënë momenti i parë gjëja e parë që më ka shkuar në mendje kam thënë duhet me dal nga ky vend sepse përndryshe nuk ka me pas të ardhme duke e ditur mentalitetin që e kemi ne, për shoqërinë që e kemi ne, sepse ne jemi të pranueshëm kur duam të jetojmë të lirë edhe ashtu siç neve na pëlqen”, ka thënë ajo.

Kur u bë e ditur se ai nuk simpatizoi kurrë një vajzë, por një djalë, rruga ishte hapur që gjërat në jetën e tij të rrjedhin lirshëm pa u penguar nga asgjë e nga askush.

Në mes të kujdesit dhe dashurisë, raporti i Shemsijes me të birin nuk lëviz nga themeli i raportit nënë-fëmijë, pavarësisht orientimit seksual duke mos pasur shumë kufizime.

“Unë ju kisha qu një mesazh, një selam të gjithë prindërve, nuk ka prindër të keq krejt i duam ne fëmijët edhe shpesh herë duke u munduar t’i edukojmë harrojmë me iu dhënë atë çka është më e rëndësishme për ta, domethënë, ajo çka më së shumti ata i bën të ndihen mirë edhe të lumtur është dashuria,është ai shikimi sy më sy, edhe është ajo afërsia ku fëmija nuk duhet të ketë frikë me fol me ne haptas për çka do çoftë që ai ka nevojë sidomos në këto moshat pak më delikate që janë adoleshenca, puberteti, duhet me qenë shumë të afërt sepse po jetojmë në një botë ku sot fëmija ndoshta edhe pa ndihmën tonë po i marrin të gjitha informatat përmes internetit. Mirëpo ne e dimë që në internet jo gjithçka është e shëndoshë edhe jo gjithçka është e mirë. Edhe me qenë sa më të afërt me fëmijë çfarëdo qofshin ata, sido që ndihen ata apo çfarë orientimi seksual kanë që të qëndrojmë sa më afër tyre.”, shprehet Musa-Çerkini.

Ajo rrëfen se si i biri i saj ka tentuar të bëjë vetëvrasje si pasojë e paragjykimeve nga të tjerët.

“Agoni me të gjithë përkrahjen që e ka pasur prej neve si familje prapë ka kaluar nëpër shumë vështirësi, ka pasur kohë, javë, muaj, depresion shumë të theksuar shumë të rëndë edhe deri ka ardhur puna sa ka tentu edhe gjëra që e lëndojnë atë personalisht Agonin me bë megjithëse shumë i ka qëndruar afër, shumë kam qenë e kujdesshme nuk kam dashur që nesër me ndodh diçka edhe mos me ia fal vetës kurrë pse ndodhi. Se jemi prindër nëse ne dy persona kur martohen qëllimi kryesorë janë fëmijët e nëse ne nuk kujdesemi për ta nuk ka kuptim as familja, as nuk quhet familje e shëndosh ajo. Domethënë Agoni ka kaluar shumë vështirësi me gjithë përkrahjen tonë. Ka tentu vetëvrasje, më konkretisht fatmirësisht që nuk është bërë më e keqja, thash me gjithë atë kujdesi që unë e kam pasur fëmija im çuditshëm, ose njerëzimi sado që i ruan edhe je afër tyre e gjejnë atë momentin kur e bëjnë. Kështu që kisha qu një mesazh për të gjithë prindërit, mos të vjen deri aty puna me e humb një fëmijë për një diçka që nuk është e keqe, për një diçka që ai ka lind me atë, nuk është që ai e ka zgjedhur është i lindur edhe pse mos me përkrahë pse mos me arrite, nuk është rrezik as për shoqërinë as për familjen”, tregon ajo.