Fjalë Kyçe

Nënkryetari i VV-së: Lutfi Haziri nuk ka peshë në bisedimet VV-LDK

Nënkryetari i VV-së: Lutfi Haziri nuk ka peshë në bisedimet VV-LDK

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi i është përgjigjur deklaratës së nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri, pasi ky i fundit dje tha që emri i Kryeministrit kalon pëmes zyreve të LDK-së.

Bislimi ka thënë se Lutfi Haziri nuk ka peshë në negociatat që këto dy parti janë duke i zhvilluar në kuadër të grupeve punuese.

“Ai mund të thotë çkado mirëpo nuk luan rol të rëndësishëm, nuk çon peshë në bisedimet tona që po i zhvillojmë me LDK-në’’, ka thënë Bislimi për Periskopin.

Dje Lutfi Haziri në një postim në Facebook kishte thënë se emri i kryeministrit të ri, gjithsesi se do të kalojë përmes zyrave të LDK-së.

’Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!’’, kishte shkruar Haziri.

E ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta të zyrtarëve të Vetëvendosjes.

Albulena Haxhiuia ka kujtuar Hazirit rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme, të mbajtura në fillim të tetorit.

“Ajo që tashmë është e qartë…emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Edhe anëtari i VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi i ka reaguar Hazirit.

Abazi ka thënë se arsyeja pse LDK është marrë në konsideratë për formimin e qeverisë është integriteti i Lëvizjes për të mos bërë koalicion me partitë që qeverisën në mandatin e fundit, nisur dhe nga bashkëpunimi mes Lëvizjes dhe LDK-së në opozitë.

Abazi theksoi se Lutfi Haziri nuk bën të mburret pasi LVV ka vendosur ta bashkëpunojë me LDK për të mirën e qytetarë që zgjodhën me 6 tetor Albin Kurtin kryeministër të vendit.