Fjalë Kyçe

Nënshkruhet marrëveshja që Kosova të marrë edhe 25 milionë euro nga BZHKE për menaxhimin e pandemisë

Nënshkruhet marrëveshja që Kosova të marrë edhe 25 milionë euro nga BZHKE për menaxhimin e pandemisë

Është nënshkruar marrëveshja sipas së cilës Kosova do të përfitojë 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.

Marrëveshja e Amandamentimit nr.1 të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve përfaqësuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE), përfaqësuar nga Guvernatori i BZhKE, Rolf Ëenzel, në vlerë prej 25 milionë euro, vjen pas aprovimit të këtij projekti në muajin mars të këtij viti.

“Kjo Marrëveshje bazohet në marrëveshjen bazë të financimit prej 35 milion € të nënshkruar në gusht 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve në kuadër të menaxhimit të pandemisë, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit shëndetësorë, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, materialet mbrojtëse, dhe ndërtimin e zinxhirit të ftohtë”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Ndërsa, Marrëveshja e Amandamentimit ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, financimin retroaktiv të vaksinave për rreth 50% të popullsisë, dhe menaxhimin e pandemisë në tërësi nga Qeveria e Kosovës.