Fjalë Kyçe

Nga nesër kufizime të lëvizjes në Slloveni, Ambasada e Kosovës këshillon mërgimtarët

Nga nesër kufizime të lëvizjes në Slloveni, Ambasada e Kosovës këshillon mërgimtarët

Për shkak të rritjes së madhe të numrit të të infektuarve me coronavirus, Sllovenia ka vendosur që të kufizojë lëvizjet e qytetarëve si masë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Për këtë arsye, Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë ka publikuar një njoftim në Facebook përmes të cilit njofton mërgimtarët tanë që jetojnë në Slloveni se si të sillen dhe si mund të kërkojnë dhe realizojnë shërbime në Ambasadë.

Sipas Ambasadës, vendimet e Qeverisë sllovene parashohin që nga 27 tetori lëvizja ndërmjet komunave të Sllovenisë është përkohësisht e kufizuar.

Po ashtu, në njoftim thuhet se janë 13 raste që bëjnë përjashtim nga ky kufizim i lëvizjes.

Ky është njoftimi i plotë i Ambasadës së Kosovës në Slloveni:

“Bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, nga 27 tetori, lëvizja ndërmjet komunave të Sllovenisë është përkohësisht e kufizuar.Mirëpo, kalimi ndërmjet komunave lejohet për 13 përjashtime, duke përfshirë edhe qasjen në misionet e huaja diplomatike dhe konsullore.

⚠️ Po ashtu, për kalim ndërmjet komunave, personat duhet të kenë dëshminë e duhur për të provuar përjashtimin si dhe një deklaratë të lexueshme të nënshkruar që përmban informacionet e kërkuara me dekret (shih shembullin në link).

– Informacione të detajuara rreth rregullave të reja sa i takon lëvizjes ndërmjet komunave, mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm të publikuar nga Qeveria e Sllovenisë.

Andaj, lusim të gjithë qytetarët të cilët kanë caktuar termine për të kryer shërbime konsullore në Ambasadën e Kosovës në Lubjanë gjatë kësaj periudhe, që paraprakisht të informohen dhe të zbatojnë me përpikëri të gjitha rregullat e vendosura nga Institucionet e Republikës së Sllovenisë.

– Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të konfirmojnë me shkrim terminet e caktuara paraprakisht në Ambasadë, duhet të na shkruajnë në e-mailin zyrtar : [email protected] .”