Fjalë Kyçe

Nga Neuer te Messi, ky është formacioni i “të zhvlerësuarve” në treg

Nga Neuer te Messi, ky është formacioni i “të zhvlerësuarve” në treg

Kohë tregu, kohë vlerësimesh. Klubet kërkojnë përforcime dhe natyrisht kush ka para, shpenzon për të afruar lojtarët më cilësorë.

Megjithatë, edhe lojtarët cilësorë kanë luhatje në vlerën e tyre në treg dhe jo gjithmonë kanë rritje, sepse mosha apo rendimenti i ulët në një periudhë të caktuar bëjnë që çmimi i tyre të pësojë rënie.

Uebsiti i specializuar “Transfermarkt.de” ka publikuar vlerat e reja për çdo futbollist dhe ka përpiluar një formacion me lojtarët që kanë humbur më shumë vlerë në treg në krahasim me një vit më parë.

Formacion fantastik, që nis nga Manuel Neuer, i cili tashmë ka një çmim “modest” prej 22 milionë eurosh, 13 milionë më pak se një vit më parë, për shkak të moshës së tij dhe sidomos të problemeve fizike.

Filipe Luis në të majtë, Hummels e Boateng në qendër dhe Sergio Ramos në të djathtë përbëjnë repartin e mbrojtjes, lojtarë që kanë humbur vlerë për shkak se tashmë ose janë drejt fundit të karrierës, ose vijnë nga një periudhë negative, si në rastin e mbrojtësve të Bayern Munchen.

Bayern ka pasur një pjesë të parë të sezonit zhgënjyese dhe Thomas Muller gjen gjithashtu vend në formacionin e lojtarëve që u ka rënë vlera, sepse tashmë çmimi i tij vërtitet te 40 milionë eurot. Bashkë me të në mesfushë janë edhe Arturo Vidal e Mesut Ozil, të dy me probleme të mëdha në muajt e fundit, duke mos luajtur rregullisht, transmeton telesporti.

Sulmi ka një dështim, Alexis Sanchez, i cili vlen 25 milionë euro më pak, por edhe dy “veteranë” si Luis Suarez e Leo Messi. Ky i fundit vlen 160 milionë euro, 20 milionë euro më pak, por thjesht për faktin se është 31 vjeç dhe tashmë vlera në treg shkon në të kundërt me moshën.