Fjalë Kyçe

Nga shtatori, shkollat e Ferizajt do të startojnë me ‘ditarë digjitalë’

Nga shtatori, shkollat e Ferizajt do të startojnë me ‘ditarë digjitalë’

Që nga shtatori i këtij viti, të gjithë prindërit në shkollat e Komunës së Ferizajt përmes një platforme “Ditari Digjital” do të mund ta shikojnë gjendjen e fëmijëve të tyre rreth procesit të mësimnxënies.

Ajo ua mundëson secilit prindër që përmes telefonit ta shikojë fëmijën e tij a ka hyrë në objektin e shkollës, a është notuar etj.

Komuna thotë që synon nëpërmjet kësaj platforme të monitorohet secili zhvillim nëpër shkolla, duke u nisur nga vijueshmëria e mësimdhënësve, plan-programet e tyre.

“Do të mund të kenë qasje te secili nxënës apo fëmijë i tyre, do të mund të kenë qasje se a është fëmija në shkollë, a është i ngarkuar, a është i notuar, cilat janë vërejtjet që i ka pësuar, cilat janë ato kritikat, cilat janë ato rezultate dhe cilat janë sukseset që i kanë arritur fëmijët e tyre dhe kjo pa dyshim se e forcon dhe e krijon një lidhmëni edhe më të madhe mes atij trekëndëshit didaktik, shkollë prindër dhe nxënës. Dhe me siguri se do të jetë jashtëzakonisht funksionale”, është shprehur Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt.

Por Këshilli i prindërve në nivel Komunal është shprehur skeptik rreth këtij projekti.

“Sigurisht që ne të gjithë jemi për ta mbështetur, mua më pëlqen si ide, mirëpo jam kundër gjërave që po iniciohen dhe fillohen platforma të ndryshme dhe në fund nuk po implementohen. Unë i përgëzoj për këtë iniciativë edhe Komunën e Ferizajt mirëpo kam qejf me ditë dhe me qenë të informuar edhe ne si prindër se për çka është fjala më konkretisht”, ka thënë Zejnepe Hysenaj, kryetare e Këshillit të Prindërve në Ferizaj.

Drejtori Llabjani ka thënë se aktualisht janë në fazën fillestare të hartimit të projektit.

Sipas tij, të gjithë prindërve i mundësohet një komunikim i mirë me shkollën edhe nëpërmjet mesazheve, fotove dhe video-incizimeve.