Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për aksidentin me kamion më 7 mars në Gjilan.
Sipas aktakuzës, shoferi M.A. akuzohet për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik”, ndërsa përgjegjësi i kompanisë, V.T. akuzohet për veprën penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
Në aktakuzë theksohet se më 7 mars 2019, rreth orës 14:00 në rrugën “Idriz Seferi”, i pandehuri M.A. kishte shkaktuar aksident pasi duke drejtuar kamionin, pronë e “VEV Group” nga Prishtina, kishte humbur kontrollin dhe si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të sistemit të frenimit, s’ka arritur të frenojë. Ai madje e kishte të pamundur të ndërronte shpejtësitë për shkak të mosfunksionimit të fraksionit.
“Me këtë rast, i njëjti për të shmangur përplasjen me automjetet që lëviznin para tij, kalon dhe shfrytëzon shiritin e kahes së kundërt, mirëpo pasi rruga ishte teposhtës. fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, ndërsa afër daljes së Stacionit të Autobusëve, e godet mbrapa një automjet tjetër, që lëvizte para tij, të cilin e shtyn deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet 3 (tre) këmbësorë, të cilët ishin duke ecur nëpër trotuar, në mesin e tyre edhe i ndjeri Q.Ç”, thuhet në njoftim të prokurorisë.
Pas goditjes së shumë veturave, kamioni ishte ndalur pasi kishte goditur një traktor që ishte kyçur në rreth-rrotullin përballë hotelit “Kristal”.
Si pasojë e aksidentit të rëndë, lëndime të lehta trupore kishin pësuar 17 persona, ndërsa të rënda 4 persona, e lëndime të natyrës vdekjeprurëse iu shkaktuan Q.Ç dhe F.I.
Në anën tjetër, për përgjegjësin e kompanisë, prokuroria ka thënë se kishte neglizhuar punën dhe kishte lejuar shoferin e tij, M.A. që të dalë në qarkullim me automjet të paregjistruar dhe teknikisht të parregulluar.
“Ndërsa, i pandehuri V.T., si person përgjegjës i kompanisë “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit apo mosveprimit të tij, mirëpo nga neglizhenca për mbikëqyrje të detyruar, ka lejuar vozitësin e tij, tani të pandehurin M.A., që të dalë në qarkullim – rrugë publike regjionale, për të kryer punë për kompaninë, me automjet transportues, i cili ka qenë i paregjistruar dhe teknikisht i parregulluar, me ç’rast si pasojë e këtyre lëshimeve, është shkaktuar aksident trafiku”, thuhet në njoftim.