Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri del sot para gjyqit me disa akuza ndër të cilat, për trafik lëndësh narkotike.
Ai i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Procesi është paraparë që të nisë në orën 09:30 minuta dhe nën akuzë përveç ish-ministrit janë edhe tre ish-zyrtarë policie në Vlorë; Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, të cilët janë në arrati pas shpalljes në kërkim që i bëri Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pavarësisht kësaj, tre ish-zyrtarët e policisë po hetohen nën masën e ‘arrestit në burg, në mungesë’.
Në seancën paraprake, Saimir Tahiri ka kërkuar që procesi të bëhet me kohë të shkurtuar, gjë që nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel, shkruan Top Channel.
Nëse kjo kërkesë e tij pranohet, procesi mbyllet me 3 seanca: një për Prokurorinë që shpall pretencën; një për avokatët që bëjnë mbrojtjen; dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin; duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.