Fjalë Kyçe

Nis kampanja për dhurimin e rrobave të përdorura si vetëdijesim për ruajtjen e ambientit

Nis kampanja për dhurimin e rrobave të përdorura si vetëdijesim për ruajtjen e ambientit

Saranda Sylejmani ka thënë se kampanja “Reusetoreduce” ka filluar që nga e hëna dhe do të zgjasë deri të mërkurën në orën 16:00.

Ajo në emisionin SOT në KTV ka thënë se qëllimi i kësaj kampanje është që njerëzit të dhurojnë rroba që nuk i përdorin, në mënyrë që ta ruajnë ambientin.

Sylejmani ka thënë se kjo është bërë po ashtu që njerëzit të vetëdijesohen se sa e dëmshme është industria e tekstilit.

“Është me rëndësi të kuptohet që të njëjtat rroba që nuk përdoren mund të falen dhe jo të hidhen. Ne i marrim rrobat që qytetarët i dhurojnë dhe ua dhurojmë ‘teshavesha’ në mënyrë që ata t’i dërgojnë te nënat dhe fëmijët në nevojë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, interesimi ka qenë shumë i madh, duke shtuar se kanë marrë komente shumë të mira nga publiku.

Ajo ka thënë se njerëzit kanë marrë edhe informata lidhur me industrinë e tekstilit.

Sylejmani ka thënë se kjo i ka motivuar që ta vazhdojnë kampanjën edhe në qytete tjera.

“Është shumë në trend në gjithë botën që njerëzit të vishen në second hand”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se janë të vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”.