Ka filluar sot në qendër të qytetit të Pejës, në sheshin që mbanë edhe emrin e gjeneral-major Shkëlzen Haradinajt, ndërtimi i Memorialit të Heroit, Gjeneral-major Shkelzen Haradinajt dhe 183 Heronjve dhe Dëshmorëve të Komunës së Pejës.
Fillimisht, kujdesshëm nga mëngjesi ka nisur rrënimi i Sheshit faktik, për të vazhduar më pas implementimi i projektit në fjalë.
Një pjesë e mjeteve financiare janë siguruar nga bashkëluftëtarët e të rënëve, përderisa një pjesë e caktuar nga ana e Komunës së Pejës.
Të gjitha palët e involvuara në projekt kanë garantuar se me këtë memorial nuk do preket gjelbërimi në qendër të qytetit.
Projekti i memorialit që ka nisur sot, do të inaugurohet më 16 qershor të këtij viti, ditën kur Peja shënon 20-vjetorin e çlirimit nga okupatori serb.
Nisjen e punimeve dhe të zbatimit e kanë përcjellë nga afër zv/ministri i Shëndetësisë dhe kryetar i AAK-së në Pejë Ali Berisha dhe kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, dy rivalë politikë të njohur në tash e 10 vjet në Pejë, por edhe kolegë të mirë gjatë qeverisjes komunale të AAK-së.
Të pranishëm janë parë dhe kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës Rasim Selmanaj dhe figura tjera politike.
Lajmin e ka bërë të ditur Ali Berisha – Kryetar i AAK-së në Pejë, i cili deklaruar se projekti është mbështetur nga Komuna e Pejës me ç’rast edhe ka uruar për suksese dhe punë të mbarë.
Postimi i plotë:
“Sot po fillon ndërtimi i memorialit të Heroit, Gjeneral Shkelzen Haradinaj dhe 183 Heronjëve dhe Dëshmorëve të Komunës së Pejës.
Projektimi dhe investimet janë bërë nga bashkëluftëtarët dhe është mbështetur nga Komuna e Pejës.
Projekti i përfunduar do të inagurohet me 16-të Qershor, në ditën e Çlirimit të Pejës. Punë të mbarë e suksese.”-ka shkruar Ali Berisha i AAK-së në facebook.
Ndryshe pas një kohe relativisht të gjatë, dje ka qenë hera e parë që Muhaxheri dhe Berisha janë parë rastësishëm bashkë në homazhet dhe nderimet që janë organizuar në Katund të Ri, përderisa sot ishte hera e dytë që ata sërish u panë bashkë në nisjen e këtij projekti.
Thënë ndryshe Berisha dhe Muhaxheri janë bashkuar sot në këtë Shesh në të cilin shumë herë njëri-tjetrin i kanë shtrirë dorën për ti uruar fitoren ose pranuar humbjen nëpër zgjedhjet komunale.
Sheshi ‘Shkëlzen Haradinaj’ dhe libri me emrat e Dëshmorëve të Pejës, ishte ngritur në vitin 1999, në qeverisjen komunale të Et’hem Çekut.