Fjalë Kyçe

Nis takimi i presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike

Nis takimi i presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike

Ka nisur të mbahet takimi i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike, për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në komunat veriore të vendit.

Në takimin me Osmanin po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe përfaqësues të komuniteteve.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve në veri u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila nuk po merr pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot u shpreh i gatshëm të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit të parapara të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor. Në mbledhjen e së shtunës, u certifikuan edhe 14 kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvend Komunal të Leposaviqit.

Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetar qysh nga fillimi i nëntorit.

Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Por, mbajtja e këtyre zgjedhjeve u vu në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në veri. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe i ka bojkotuar ato.

Autoritetet thanë se do të marrin vendim rreth tyre pas vlerësimeve të organeve të sigurisë në Kosovë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkuan që të shtyhen deri në stabilizimin e situatës.