Fjalë Kyçe

Nis vaksinimi në Kamenicë, këto janë kategoritë që do të përfitojnë të parat

Nis vaksinimi në Kamenicë, këto janë kategoritë që do të përfitojnë të parat

Komuna e Kamenicës, përkatësisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka nisur vaksinimin e personelit shëndetësor kundër virusit SARS-CoV-2.

Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, ka falënderuar ekipën e vaksinimit dhe gjithë stafit shëndetësor për punën që kanë bërë gjatë ballafaqimit me pandeminë.

“Nis vaksinimi i personelit shëndetësor në Kamenicë. Bashkë me drejtoreshën e Shëndetësisë Suna Zajmi-Krasniqi, sot vizituam Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku edhe nisi vaksinimi kundër virusit SARS-CoV-2. Uroj e shpresoj që sa më parë të sigurojmë doza tjera të vaksinës, sepse nevoja është e madhe. Faleminderit ekipit të vaksinimit dhe gjithë stafit shëndetësor për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë ballafaqimit me pandeminë. Qofshi shëndosh”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, tha se shpreson që sa më shpejt të vaksinohen edhe pjesa tjetër e stafit dhe qytetarët.

“Procesi i vaksinimit ka filluar edhe në komunën tonë. Prioritet ka stafi shëndetësor të cilët gjatë pandemisë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Shpresoj që shumë shpejt do të kemi vaksina edhe për të moshuarit dhe grupet tjera më të rrezikuara nga ky virus”, ka thënë ajo.

Ndryshe personi i parë i cili u vaksinua ishte drejtori i QKMF-së, Besim Beqiraj, ndërsa kryetari Kastrati ishte vetëm prezent gjatë këtij procesi duke u lënë hapësirë që të vaksinohen ata që më së shumti kanë nevojë.