Fjalë Kyçe

Nisin hetimet ndaj pronarëve të ndërtimeve të larta në rajonin e Mitrovicës

Nisin hetimet ndaj pronarëve të ndërtimeve të larta në rajonin e Mitrovicës

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) në Mitrovicë, ka nisur hetimet ndaj disa pronarëve të bizneseve ndërtimore, të cilët ndërlidhen me më shumë se 30 ndërtesa të larta të ndërtuara ose që janë në ndërtim e sipër, nëpër lokacione të ndryshme të rajonit të kësaj komune.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar NjRHKEK-në që të grumbullojë të gjitha dëshmitë në lidhje me procesin e ndërtimit të këtyre ndërtesave.

Burime të KosovaPress-it brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se me qëllim të ndriçimit të rrethanave të plota, nga pronarët e bizneseve është kërkuar dokumentacioni i pronësisë së tokës dhe mënyra e ardhjes deri te pronësia, leja ndërtimore, si dhe çdo kontratë tjetër që pronarët e bizneseve posedojnë me operatorët tjerë rreth ndërtimit të këtyre objekteve.

“Hetimet po zhvillohen për dyshimet që ndërlidhen me aktivitete të kundërligjshme financiare, prejardhjen e parave, dhënien dhe pranimin e mitos, si dhe keqpërdorimin e detyrës dhe pozitës zyrtare, elemente këto të kundërligjshme të sanksionuara me kodin penal të Kosovës”, ka thënë një burim brenda prokurorisë.

Sipas këtyre burimeve, përvoja e deritashme shpesh ka dëshmuar se deklarimi zyrtar për prejardhjen e pasurisë nga ana e biznesmenëve, nuk përgjigjet me të ardhurat e funksionit që ata kryejnë, andaj vetëm duhet hetim i detajuar dhe profesional nga ana e organeve gjegjëse.

KosovaPress ka provuar të bisedojë me disa pronarë të ndërtesave për të marrë një shpjegim më të hollësishëm rreth kësaj çështjeje, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga e cila ka marrë përgjigje ku konfirmohet fillimi i hetimeve.

“Lidhur me ndërtimet në regjionin që mbulon Prokuroria Themelore në Mitrovicë, policisë i është paraqitur kërkesë për grumbullimin e informatave”, thuhet shkurt në përgjigjen e dërguar përmes postës elektronike nga ky institucion, pa dhënë detaje shtesë.

Ndërkaq, avokati Musa Damati, thotë se dhënia e lejeve të ndërtimit pa standarde dhe kritere profesionale në ndërtimet e caktuara gjithandej vendit, është e dëmshme për shtetin e Kosovës, ndërsa mungesa e pranimit teknik të objekteve, si dhe mos kompletimi i dokumentacionit në domenin ligjor, dëmton edhe vetë blerësit.

Sipas tij, rastet penale komplekse në shumicën e rasteve delegohen tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Qeveritë lokale kanë dështuar në luftën e tyre ligjore kundër mafies së betonit dhe atë për arsye se lejet ndërtimore pa standarde profesionale edhe pa kritere në ndërtimet e caktuara të cilat po bëhen në nivel të Republikës së Kosovës, mendoj se janë të dëmshme për vendin, dhe po ashtu të dëmshme dhe me konsekuenca juridike edhe për vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë blerës dhe paguajnë qindra mijëra euro për metër katrorë. Ndërsa në anën tjetër mungesa e pranimeve teknike, si dhe mos kompletimi i dokumentacionit në domenin ligjor i dëmton vetë blerësit dhe qytetarët e Kosovës. Duke u bazuar në përvojën time profesionale mendoj se rastet penale komplekse në shumicën e rasteve delegohen tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila si instancë më e lartë merret me shqyrtimin dhe procedimin e çështjeve të tilla ligjore penale komplekse”, ka thënë Damati.

Në anën tjetër, pak kush prej qytetarëve beson se nuk ka njerëz të tjerë nëpër institucione të cilët nga këta biznesmenë në këmbim të një leje ndërtimi, të mos jenë joshur nga përfitimi personal. Ata nuk pranojnë të flasin para kamerës.

Njëri prej këtyre qytetarëve, i cili deshi të mbetet anonim, ka kritikuar edhe disa njerëz brenda hetuesisë dhe prokurorisë për punën e tyre.

“Nuk duan, nuk dinë, kanë frikë apo mund të kenë gëlltitur edhe ata një lugë çorbë të prishur, andaj nuk merren fare, ose fillojnë të merren, por duke mos i trajtuar seriozisht rastet apo edhe duke u ndikuar në punën e tyre. Si rrjedhojë, shpesh dëgjojmë të jenë ndërprerë hetimet në mungesë të provave, ose edhe të parashkruhen lëndët ”, tha ai.