Fjalë Kyçe

Nisin përgatitjet për projektligjin për kriptovaluta

Nisin përgatitjet për projektligjin për kriptovaluta

Është bërë hapi i parë që Kosova të bëhet me ligj për kriptovaluta. Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statofci, ka bërë të ditur se ka bërë kërkesë në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që të bëhet një hulumtim legjislativ lidhur me këtë industri.

Në një njoftim në Facebook, Statovci ka thënë se “Nevoja për vëmendje ndaj këtij sektori është rritur ende më shumë edhe nga informatat shqetësuese në raport me konsumin e energjisë elektrike veçanërisht nga keqpërdorimet me energjinë nga grupe të ndryshme ndëretnike që veprojnë në komunat e veriut të Republikës së Kosovës”.

Ajo ka publikuar edhe letrën me të cilën ka bërë kërkesë në kuadër të Komisionit për Ekonomi, për hulumtim legjislativ se si është e rregulluar kjo industri në vendet e rajonit, veçanërisht në Shqipëri, dhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Hulumtimi është propozuar që të trajtojë kategorizimin e kriptovalutave dhe format e taksimit, shembujt se si shtetet që kanë avancuar me legjislacion, janë siguruar që kjo industri të ketë pajtueshmëri me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të transferimit të parave dhe për parandalimin e pastrimit të parave dhe lejimin/rregullimin e mihjes së kriptovalutave.