Nisma Socialdemokrate i është përgjigjur shkresës zyrtare të Presidentit të Kosovës, i cili i ka kërkuar koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar të NISMA-s, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se janë përpëlitjet e fundit të Presidentit Thaçi.
“Këto janë përpëlitjet e fundit të Hashim Thaçit para se të detyrohet të shpallë daten e zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Sherifi.
Ndërsa në shkresën zyrtare të presidentit Thaçi drejtuar Kadri Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.