Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se kjo parti politike nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me LDK-në, PDK-në e LVV-në, duke e lënë të hapur mundësinë për vazhdim bashkëpunimi me AAK-në.
Duke folur në “Imazh”të RTK-së, ai ka thënë se vullneti është që të shkohet vet si subjekt në zgjedhje, por do të shihet se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim.
“Ne si NISMË, hyjmë në garë për 10+ dhe besojmë që këtë do ta arrijmë pa ndonjë problem. Të gjitha partitë na kanë ftuar për bashkëpunim, por ne do t’u përgjigjemi ndërkohë, por para zgjedhjeve nuk bëjmë koalicion me partitë që veten e quajnë të mëdha”, deklaroi Sherifi.
Duke komentuar deklarimet e LVV-së se është vonë 22 gushti për shpërbërje të Kuvendit, ai tha se nuk mundet që askujt t’ia shërojë halucinacionet dhe sipas tij qeveri pa zgjedhje mund të bejnë vetëm LDK dhe LVV, sepse të tjerat s’kanë vullnet për diçka të tillë.
“Me NISMËN, qeveri pa zgjedhje nuk ka, atë mund të bëjnë ata që po bëjnë deklarata për çdo ditë”, tha Sherifi.
Shefi i deputetëve të Nisma Socialdemokrate tha se edhe nëse Haradinaj nuk do të jepte dorëheqjen, vendi më shumë gjasë do të shkon të zgjedhje gjatë kësaj vjeshte.
Ai ka ritheksuar se NISMA, ka menduar t’i japë fund bashkëpunimit qeverisës me AAK-në pak muaj më parë për shkak të takimit të këshilltarëve të Haradinajt me zyrtarët e Serbisë në Berlin për të biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.