Fjalë Kyçe

NISMA: Kurti refuzoi të dalë në debat me Fatmir Limajn

NISMA: Kurti refuzoi të dalë në debat me Fatmir Limajn

Nisma Socialdemokrate ka reaguar pasi disa eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se kandidatët tjerë për kryeministër të vendit kanë refuzuar të bashkëbisedojnë sot me studentë dhe të rinj.

Nisma përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se mbrëmë nga organizatorët është njoftuar se vetëm Fatmir Limaj dhe Albin Kurti do të jenë pjesë e panelit.

“Por, sot në mëngjes jemi njoftuar nga organizatori që z. Kurti ka kërkuar që bashkëbisedimi me të rinjtë të bëhet ndaras dhe jo bashkë me z. Limaj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Nismës.

Reagimi i plotë i NISMA-s

Për hir të informimit të drejtë të publikut,

Sot, kandidati për kryeministër të vendit, Fatmir Limaj, i është përgjigjur ftesës të Kongresit Kombëtar të të Rinjve të Kosovës, me ç’rast nën moderimin e znj. Jeta Xharra, ka pasur një bashkëbisedim me të rinj dhe studentë të Kosovës.

Bashkëbisedimi ka qenë i paraparë të bëhej me praninë e të gjithë kandidatëve për kryeministër të vendit.

Mbrëmë na është konfirmuar nga organizatorët se vetëm z. Kurti nga kandidatët tjerë ka pranuar të jetë në panelin e diskutimit, bashkë me të cilin do të ishte z. Limaj.

Por, sot në mëngjes jemi njoftuar nga organizatori që z. Kurti ka kërkuar që bashkëbisedimi me të rinjtë të bëhet ndaras dhe jo bashkë me z. Limaj.

Konsiderojmë se debati me të rinjtë i ka dhënë rezultatet e veta dhe z. Limaj do të vazhdojë ta shpalosë programin tonë zgjedhor, duke i respektuar dhe pasur parasysh kërkesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.