Fjalë Kyçe

Një ditë nga takimi i Ohrit, a do t’i dëgjojnë Kurti e Vuçiq thirrjet e BE-së dhe ShBA-së

Një ditë nga takimi i Ohrit, a do t’i dëgjojnë Kurti e Vuçiq thirrjet e BE-së dhe ShBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell / Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç
Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në pritjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. E në takimet me ndërmjetësues do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. I pranishëm po ashtu do të jetë edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Por çka pritet të ndodhë më 18 mars?

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë ditës së djeshme ka thënë se është koha që palët të marrin përgjegjësi për të arritur sukses në dialog.

“Është koha për liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë kurajo dhe të demonstrojnë përgjegjësitë për të pasur sukses dhe pranimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ndër tjerash Borrell.

Borell tha se kjo marrëveshje do i vendosë Prishtinën dhe Beogradin në një bazë më të qëndrueshme dhe të sigurt.

“Për sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, në 27 Shkurt patëm një mbledhje të nivelit të lartë në Bruksel që e organizova unë së bashku me presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti. Ramë dakord që nuk nevojiteshin diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë se gjuha e kësaj marrëveshje është e mbyllur.

Kjo marrëveshje sjellë shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Por një gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë është si dhe kur zbatohet kjo marrëveshje. Ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë. Aktualisht është rënë dakord për marrëveshjen por po punojmë për zbatimin e saj.

Ky zbatim është një shtojcë që është pjesë e vetë marrëveshjes e cila do të detyrojë palët të sigurojë dhe të kenë të njëjtin kuptim sa i takon afateve dhe modaliteteve. Kjo marrëveshje i vendos Kosovën dhe Serbinë, më afër në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron që dialogu do të vazhdojë me dialogun e gjithëpërfshirjes dhe do të shkojë përtej menaxhimit të krizave”, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian Josep Borell.

Për pritshmëritë nga takimi i Ohrit, ka folur dje edhe, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nga Serbia ku ka pasur takime me krerët e shtetit, ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka folur për pritshmëritë e tij nga takimi i Ohrit.

Escobar ka thënë se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Escobar, tha se mendon se është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin këtë vit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Do të kisha dashur që këtë vit të arrihet, dhe mendoj se kjo është plotësisht e mundshme”, u shpreh ai.

Ai thekson se dëshiron që institucionet e Kosovës dhe Serbisë të jenë të lidhura me të gjitha strukturat evropiane.

“Kjo marrëveshje duhet të “hapë derën” sepse më në fund do të kemi normalizim”, vuri në dukje Escobar.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, thotë ai.

Gjatë javës thirrje për marrëveshje ka bërë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai ka theksuar edhe një herë qëndrimin e shtetit që ai e përfaqëson, duke thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që të arrijë marrëveshje me Serbinë në takimin e radhës që do të mbahet me 18 mars në Ohër.

Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit.

Përpos përfitimeve që dalin nga propozimi evropian, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova mund të përfitojë edhe në mënyrë indirekte nga takimi i 18 marsit, të shtunën, në Ohër, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nëse shihet se Kosova ka kontribuuar në arritjen e një dakordimi për zbatim të propozimit evropian, Hovenier ka thënë se ShBA-të do ta rrisin masivisht aktivitetin për t’ia mundësuar Kosovës anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ne besojmë se Kosova një ditë duhet të jetë, dhe do të jetë, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, dhe çështja e vetme është si të bëhen kushtet e duhura për ta arritur këtë. Në rast se e arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet se ka kontribuar për ta arritur në mënyrë të suksesshme dhe konstruktive për ta arritur këtë marrëveshje, mendoj se do të shihni aktivitet të përtërirë amerikan dhe realizimin e këtij vizioni. Nuk është se nuk kemi tentuar në të kaluarën”, ka deklaruar ambasadori Hovenier gjatë kësaj jave.

I gatshëm për marrëveshje është shprehur kryeministri Kurti, ndërsa në anën tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një adresim para qytetarëve të Beogradit, tha se “nuk planifikon të nënshkruaj asgjë” në takim me kryeministrin Kurti në Ohër.

Vuçiq tha se “ende nuk kemi marrë një draft se çfarë dëshiron BE-ja” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët e kanë dorëzuar të tyren, ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli”, tha Vuçiq në fjalimin e tij para qytetarëve.

Ai shtoi se do të jetë i pari që do të zbulojë detajet e draftit kur të arrijë dhe deklaroi se nuk i ka “fshehur kurrë planet”.

“Asnjëherë nuk kam fshehur asnjë shkronjë apo fjalë”, ka thënë presidenti i Serbisë, gjatë ditës së djeshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars do të takohen në Ohër për të folur për zbatimin e marrëveshjes.

Prezentë në këtë takim do të jenë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë, Josep Borrell.

Pjesë e takimit do të jetë po ashtu edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimet e ndara do të fillojnë nga ora 10:00, ndërkaq takimi trilateral, është paralajmëruar pas mesditës.