Fjalë Kyçe

Një ditë pas aksionit të madh të policisë, kjo është gjendja në veri të Kosovës

Një ditë pas aksionit të madh të policisë, kjo është gjendja në veri të Kosovës

Situata në veri të Kosovës është e qetë, por ende ekziston tension i caktuar.

Pas aksionit të policisë së Kosovës, situata në veri të Kosovës është e qetë, por ende ekziston tension i caktuar. Për sot në mesditë është caktuar protestë në qendër të Mitrovicës, raporton “RTS”, transmeton lajmi.net.

Njësitet speciale të policisë së Kosovës kanë zhvilluar një aksion të gjerë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në mesin e dhjetëra të arrestuarve, përfshirë pjestarë serbë të policisë së Kosovës ishin edhe dy punonjës të UNMIK-ut, njëri prej të cilëve ishte shtetas rus.

Pas pesë orësh, policia e mbylli aksionin kurse zyrtarë nga Prishtina kanë shpjeguar se bëhej fjalë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar nga ushtria dhe policia serbe të jetë në gjendje gatishmërie dhe bëri thirrje për bashkësinë evropiane të reagojë ndaj aksionit në veri.

Presidenti i Listës serbe, Goran Rakiq ka thënë për “RTS” se synimi është të dëshmohet bashkim dhe serbët dëshirojnë paqe.

“Dëshirojmë t’i tregojmë Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare se nuk jemi frikësuar nga aksioni i forcave speciale dhe se do t’i mbrojmë shtëpitë tona”, deklaroi ai.

Ai u ankua se gjatë aksionit është përdorur dhunë e tepruar duke përmendur përplasjet në Zubin Potok.

Ai po ashtu ka paralajmëruar aktivizimin e shtabit të krizës i cili do të marrë vendime të rëndësishme së shpejti.