Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim ndaj personit për posedim dhe shitje të narkotikëve

Një muaj paraburgim ndaj personit për posedim dhe shitje të narkotikëve

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 31.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 30.06.2021, ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datën 31 maj, duke kaluar vendkalimin kufitar Shqipëri-Kosovë, në automjetin që e drejtonte, në bagazh të automjetit kishte të fshehur 65 paketime plastike të narkotikut të llojit të dyshuar “Marihuanë”, në peshë totale prej 35.0284 kg.

Po ashtu, i njëjti në shtëpinë e tij, kishte të fshehur në një kavanoz plastike me ngjyrë të bardhë, në peshë prej 113.3 gram, një qese të fshehur najloni ku kishte të vendosur substancë të dyshuar të llojit “Kokainë”, në formë pluhuri ngjyrë të bardhë, në peshë prej 41.5 gram, dhe katër peshore elektronike, të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut.