Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim ndaj personit që kishte sulmuar fizikisht dy policë në Ferizaj

Një muaj paraburgim ndaj personit që kishte sulmuar fizikisht dy policë në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit A.S. shtetas Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Siç njofton Gjykata, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 02.08.2021, në Ferizaj ka sulmuar personat zyrtarë – policët gjatë kryerje së detyrës zyrtare, duke u shkaktuar lëndime trupore, në atë mënyrë që të dëmtuarit policët – B.V. dhe A.R., të cilët kishin qenë të angazhuar në planin operativ anti-Covid dhe derisa ishin duke i larguar klientit nga një lokal, i pandehuri fillimisht i kishte fyer, pastaj i kishte sulmuar fizikisht duke u shkaktuar lëndime trupore të përshkruara si në raporte mjekësore të Qendrës Emergjente në Ferizaj.

“Paraburgimi do të mbahet në Qendrën e Paraburgimit dhe nga aty dërgohet në Institutin e Fornezikës Psikiatrike në Prishtinë, me qëllim ekzaminimi psikiatrik dhe konstatim-Observim të natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjes së sëmundjes mendore, ndikimin që ka pasur gjendja mendore si dhe faktin se a e ka mundur ky i pandehur për t’i kuptuar veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës penale më 03.08.2021, a është i aftë për ta mbrojtur veten të konsultohet me personat të tjerë, përkatësisht me mbrojtësin, aftësinë për ta kuptuar akuzën dhe a është i aftë për ta përballuar gjykimin”, thuhet në njoftim.