Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim për kryetarin e Kllokotit

Një muaj paraburgim për kryetarin e Kllokotit

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviqit.

Dejanoviq ishte arrestuar më 12 mars nën dyshimet se ka kryer veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, raporton Gazeta Express.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.D. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve nga neni 210 të KPK-së”, thuhet në njoftim.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.D në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka kanosur seriozisht punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarët e kësaj komune, duke ndikuar në vullnetin e tyre që të votojnë në mënyrë të caktuar, për një subjekt të caktuar politik dhe për kandidatë të caktuar”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.

Lajmin për arrestimin e tij e pati bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një njoftimi. Kreu i Komunës së Kllokotit u ndalua 48 orë ndërsa po dyshohej për kryerjen e veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se, sot, ka ekzekutuar Urdhrin e Gjyqtarit të procedurës paraprake, për kontrollimin e Objekteve të Komunës së Kllokotit, në lidhje me një hetim që është duke zhvilluar ndaj Kryetarit të Komunës, të pandehurit Bozhidar Dejanoviq, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”, thuhej në njoftim.