Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim për të miturin që ka sulmuar gruan rome në Ferizaj

Një muaj paraburgim për të miturin që ka sulmuar gruan rome në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për të miturin i cili dje ka sulmuar gruan rome në Ferizaj.

Sipas njoftimit, Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit të mitur B.T., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“I mituri B.T, dyshohet se më 31 maj 2019 në Ferizaj, ka sulmuar të dëmtuarën Z.S. fillimisht duke e goditur nga mbrapa me grusht në kokë e pastaj në mënyrë të paskrupullt e godet me shqelma në fytyrë”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të mitur, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.