Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit B. M.
Në një njoftim për media të Gjykatës Themelore, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin ka tentuar ta privojë nga jeta, duke e gjuajtur me armë zjarri.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin S. A., të njëjtin ka tentuar të privoj nga jeta, duke gjuajtur me armë të zjarrit, me këtë rast i shkakton plagë në trup. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.