Fjalë Kyçe

Një oficer shqiptar diplomohet në Akademinë e Marinës Amerikane

Një oficer shqiptar diplomohet në Akademinë e Marinës Amerikane

Akademia e Marinës Amerikane është ndër institucionet më prestigjioze që përgatit kuadro-elitë të ushtrisë amerikane.

Mario Trupja, është studenti i dytë shqiptar që diplomohet nga kjo akademi dhe që do të shërbejë me forcat detare shqiptare në kuadër të një programi që mundëson aftësimin e një brezi të ri ushtarakësh në vendet anëtare të NATO-s.

Ceremonia e diplomimit në Akademinë e Marinës Amerikane është një eveniment jo si shumë të tjerë, në këtë sezon të përfundimit të studimeve për shumë studentë amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Mario Trupja, nga Shqipëria, është ushtaraku i dytë i diplomuar në këtë shkollë prestigjioze. Ai ecën krenar mes 1052 studentëve që përfunduan studimet këtë vit në këtë akademi, pas një pune të mundimshme katër vjeçare.

“Ka qenë e vështirë. Ka pasur etapat e veta. Shoku i parë kulturor, ushqimi, shoqëria, gjuha, duhet të mësoheshe në fillim me mënyrën e jetesës. Plus që akademia kishte traditat e veta që duhet të mësohesha, trajtimi, orari shumë i ngjeshur…. Normalisht tani është një moment shumë i veçantë, është momenti kulminant i gjithë asaj pune”, thotë Trupja.

Shkollimi në Akademinë e Marinës Amerikane ndërthur një stërvitje të fortë fizike dhe punë akademike rigoroze në një degë si ajo e inxhinierisë dhe arkitekturës detare ku u diplomua, Trupja.

“Me stërvitjen mësohesh, sepse vetë ambienti të kalit. Por pjesa akademike gjithmonë të ofron një sfidë më shumë. Dega ime ishte arkitekturë dhe inxhinieri navale, që ka të bëjë me dizenjimin e anijeve, mjeteve lundruese dhe paçka që më pëlqen shumë ajo që bëja, prapë është e vështirë, kështu që ajo besoj ka qenë sfida më e madhe”, thotë Trupja.

Megjithëse vetëm më pak se një për qind e studentëve që pranohen në këtë akademi janë ndërkombëtarë, Trupja thotë se nuk është ndjerë asnjëherë i huaj dhe ka krijuar këtu shoqëri të çmuara.

“Në momentin që vjen ditën e parë, … të gjithë marrin të njëjtën prerje flokësh – zero, kështu që të gjithë bëhen bashkë – një – dhe nuk ka dallime dhe ajo është pjesa më e veçantë besoj, që të kesh aq shumë shoqëri të mirë… Shoqëria është një nga gjërat më të bukura që kam marrë nga ky vend”, thotë Trupja.

Shqipëria po jep kontributin e saj modest në forcat e NATO-s dhe diplomimi i studentëve si Trupja në akademitë ushtarake amerikane do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin dhe zhvillimin e forcave të armatosura shqiptare drejt standardeve të NATO-s, veçanërisht në operacionet paqeruajtëse.

“Ky është një investim i madh për Shqipërinë, që dërgon një student të ri qysh në moshë të re për t’u kthyer pas katër vjetësh dhe për të shërbyer në forcat e armatosura. Ne shpresojmë që të ketë një të ardhme në forcat e armatosura për Trupjën dhe ndërsa përparon jo vetëm në ushtri ose në qeverinë shqiptare, ai e di se ka miq këtu në Shtetet e Bashkuara”, thotë Tim Disher, drejtor i programit ndërkombëtar në Akademinë e Marinës.

Dhe Trupja është gati të kthehet në vendin e tij për të zbatuar njohuritë e marra këtu, në flotën detare shqiptare dhe të kontribuojë aty për të paktën një periudhë gjashtë vjeçare.