Fjalë Kyçe

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Javën e kaluar botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami zhvilloi disa takime me kongresistë dhe këshilltarë të tyre në Kongresin Amerikan.

Një nga rezultatet e para të këtyre bisedave ishte vendimi i kongresistit Seth Moulton nga Distrikti 6 në Massachusetts për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare.

I drejtuar nga dy kongresistë demokratë dhe dy republikanë, Kaukusi bashkon anëtarë të Kongresit Amerikan që tregojnë interes dhe veprojnë në mbështetje të kauzave shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe institucione të tjera në Washington.

Kongresisti Moulton e njoftoi për vendimin e tij botuesin Bajrami me anë të një mesazhi personal në të cilin shpreh edhe kënaqësinë për takimin e një jave më parë si dhe e fton për të bashkërenduar veprimet në të ardhmen.

Me këtë rast kongresisti Seth Moulton ka lëshuar edhe një deklaratë publike në të cilën thotë: Jam krenar që i jam bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare. Si grupi kryesor i anëtarëve kongresionalë që përqendrohet në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe diasporën shqiptare, Kaukusi siguron një platformë të vlefshme për të çuar përpara paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon. Pres me padurim që të punoj me udhëheqës të këtij komuniteti duke përfshirë edhe me shumë lexues të gazetës “Illyria” për të çuar përpara këto kauza të rëndësishme”.

Seth Moulton ka shërbyer si oficer i Marinsave Amerikanë dhe në Kongresin Amerikan është veç të tjerash anëtar i Komitetit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

Vehbi Bajrami punon prej dekadash në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në SHBA. Ai është botues i librit të njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës”, si dhe ka shërbyer si Drejtor i Programit të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Përpara se të bëhej botues i gazetës “Illyria” ai ka qenë gazetar dhe redaktori menaxhues i saj. Për punën e tij në shërbim të kombit është nderuar me Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut nga Presidenti i Shqipërisë.