Që në fillimet e pandemisë COVID-19, shumë shtete në botë nxituan të mbyllnin kufijtë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Por, një nga vendet që nuk ndoqi të njëjtën strategji kufizimi ishte Suedia, gjë e cila ka ngjallur diskutime në rradhët e ekspertëve.
Suedia nuk bllokoi vendin dhe nuk imponoi politika të rrepta të distancimit social. Përkundrazi, ajo pati besim te qytetarët, këshilloi të moshuarit të shmangin kontaktin shoqëror dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet jo thelbësore.
Por kufijtë dhe shkollat për nën-16 vjeç mbeten të hapura ,ashtu edhe bizneset, përfshirë baret dhe restorantet.
Kjo qasje e Suedisë në lidhje me Covid-19 ka marrë mjaft kritika. Midis kritikëve javën e kaluar ishin 22 shkencëtarë që raportuan në gazetën Dagens Nyheter, se autoritetet shëndetësore suedeze kishin dështuar dhe u bënë thirrje politikanëve të marrin masa më të rrepta menjëherë.
Ata paralajmëruan për një numër të madh vdekjesh në shtëpi pleqsh. Personi që qëndron pas modelit suedez është Anders Tegnell, një epidemiolog në Agjencinë suedeze të Shëndetit Publik. Ai shpjegoi për revistën Nature pse zgjodhi këtë qasje.
“Unë mendoj se publiciteti i mjaftueshëm ka theksuar se sa unike është qasja jonë. Ashtu si në vendet e tjera, qëllimi ynë është të rrafshojmë kurbën dhe të ngadalësojmë përhapjen e virusit sa më shumë që të jetë e mundur, përndryshe sistemi ynë shëndetësor dhe e gjithë shoqëria jonë do të kërcënohet. Karantina mund të konsiderohet për njerëz ose hapësira të vogla, të tilla si një shkollë ose hotel. Por ligjërisht nuk mund të karantinojmë një zonë gjeografike.
Sipas mendimit tim, mbyllja e kufijve dhe qyteteve, asnjë prej tyre nuk ka një bazë shkencore historike. Mbyllja e kufijve, për mendimin tim, është qesharake, sepse COVID-19 tani ekziston në çdo vend evropian. Ne jemi më të shqetësuar për përhapjen e saj brenda Suedisë”, u shpreh Tegnell.
Deri më tani në Suedi janë shënuar 1,937 të vdekur nga Covid-19 dhe janë regjistruar 16,004 të infektuar.