Janë së paku 14 deputetë të Kuvendit të Kosovës që krahas politikës janë pronarë ose edhe bashkëpronarë në biznese të ndryshme private, që operojnë brenda dhe jashtë vendit tonë. Duke u bazuar në të dhënat që ata i kanë deklaruar vetë në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) shihet se aksionet e tyre nëpër kompani nisin nga 200 euro e deri në 45 milionë euro.
Është deputet, por krahas kësaj ai edhe më tutje vazhdon të jetë pronar, bashkëpronar ose edhe aksionar në hiç më pak se 9 kompani të ndryshme, që operojnë brenda dhe jashtë vendit.
Ky është Gani Dreshaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Dreshaj në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) ka vetëdeklaruar se 100% në pronësi të bashkëshortes së tij është kompania “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”, objekti “TD Hamburg KG” e ku vlera e aksioneve është 12.5 milionë euro. Po ashtu kompania tjetër, e cila po ashtu është në pronësi të gruas së tij, “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”. Objekti “Diner Hamburg KG” ka një vlerë prej 3.5 milionë eurosh.
Po ashtu Dreshaj ka vetëdeklaruar se edhe kompania tjetër “Hanseatic Dreshaj Verwaltung GmbH”, me vlerë të aksioneve prej 25 mijë eurosh, është 100% në pronësi të bashkëshortes së tij. Po kaq ka vlerë edhe kompania tjetër “TD Lizenzvermarktungs-und Verwaltung GmbH”.
Deputeti Dreshaj po ashtu në formularët e AKK-së ka deklaruar se edhe në kompaninë tjetër “HGV Hanseatic Grundbesitzverwaltungs GmbH” gruaja e tij është bashkëpronare me 50% të aksioneve, në vlerë prej 5 milionë eurosh. Deputeti i AAK-së po ashtu ka deklaruar se i zoton 80 % të aksioneve në kompaninë “Getrinke – Vrella”, në vlerë prej 17 milionë eurosh, si dhe 100% të aksioneve në kompaninë “Kosova Invest AG”, në vlerë prej 150 mijë eurosh. Po ashtu, duke u bazuar në të dhënat e prezantuara në formularët e AAK-së, Dreshaj ka vetëdeklaruar se gruaja e tij i zotëron 50% të aksioneve në kompaninë “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”, objekti “Saffari Hamburg KG”, në vlerë prej 5 milionë eurosh. Kompania e fundit në listën e Dreshajt është “Inginieurholzbau und Tischlerei”, ku 80% të aksioneve, në vlerë prej 12 milionë eurosh, janë në emër të fëmijëve të tij.
Kompanitë me kapital zero të deputetit Pacolli
Edhe Islam Pacolli, deputet i Aleancës Kosova e Re (AKR) në Kuvendin e Kosovës, në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se ka në pronësi 3 kompani, ku dy prej tyre kanë kapital zero euro.
Pacolli ka vetëdeklaruar se është pronar me 100% të aksioneve në kompaninë “Korniza Design”, me vlerë prej 15 mijë eurosh, në “Diamond Diplomatic Bar” dhe në agjencinë turistike “Diamond Travel”, por vlera e aksioneve është zero.
Po ashtu edhe Albulena Balaj-Halimaj, deputete e Nismës në Kuvendin e Kosovës, në formularët e AKK-së ka deklaruar se 100% e aksioneve në kompaninë “Halimaj Reisen”, në vlerë prej 130 mijë eurosh, janë në pronësi të bashkëshortit të saj.
Biznes në formularët e AKK-së në emër të bashkëshortit të saj ka deklaruar edhe deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi. Sipas saj, 100% e aksioneve, në vlerë prej 7 mijë eurosh, janë në emër të bashkëshortit të saj.
Biznesmen dhe deputet njëkohësisht është edhe Fisnik Ismaili, nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Ai në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se në kompaninë “Karrota ADS” i zotëron 100% të aksioneve, në vlerë prej 700.000 eurosh.Lushtaku, pronar e aksionar në 4 biznese
Me biznese nuk qëndron keq as deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai në formularët e AAK-së ka vetëdeklaruar se i posedon 100% të aksioneve në kompaninë “Virtyti”, në vlerë prej 2600 eurosh, 40% të aksioneve në kompaninë “AIM”, në vlerë prej 4000 eurosh, 50% të aksioneve në kompaninë “Ferma Jonë”, në vlerë prej 1500 eurosh, si dhe 50% të aksioneve në kompaninë “Koni Projekt”, në vlerë prej 500 eurosh.
Biznese në emër të saj ka po ashtu edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo në formularët e deklarimit të pasurisë ka deklaruar se posedon 20% të aksioneve, në vlerë prej 200 eurosh, në kompaninë “First Legal Solutions”.
Në këtë drejtim keq nuk qëndron as deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Xhelal Sveçla. Ky në formularët e AKK-së ka deklaruar se gruaja e tij është pronare 100% e aksioneve në vlerë prej 6 mijë eurosh në kompaninë “Dhomi”.
Po ashtu edhe Blerim Kuqi, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se është pronar i 100% të aksioneve në kompaninë “Hidroterm”, në vlerë prej 775.414 eurosh, si dhe 100 % pronar në kompaninë tjetër “Hidroterm BK-Doo”, në vlerë prej 1.075.291 eurosh.
Deputeti, pronar hoteli
Edhe Zafir Berisha, deputet i Nismës në Kuvendin e Kosovës, në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se është pronar i një hoteli, vlera e të cilit sipas tij është 600 mijë euro.
Po ashtu edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, i posedon 50% të aksioneve në kompaninë “Sejdiu & Qerkini”, në vlerë prej 175 mijë eurosh.
Edhe deputeti Labinot Tahiri në formularët e AKK-së ka deklaruar se është pronar i një biznesi, por ai nuk e ka cekur fare vlerën e aksioneve në të.
Edhe deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Mirjeta Kalludra, në formularët e AAK-së ka deklaruar 3 kompani në emër të bashkëshortit të saj.
Sipas saj, bashkëshorti i saj është bashkëpronar me 50% të aksioneve në vlerë prej 356.750 mijë eurosh në kompaninë “Benita Company”, 30% të aksioneve në vlerë prej 1.000 eurosh në kompaninë tjetër “Produkt Invest”, si dhe 40% të aksioneve në kompaninë “Benita Fruits”, në vlerë prej 1000 eurosh.
Po ashtu pa biznes nuk është as deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, ku në formularët e AKK-së ky ka deklaruar se zotëron 100% të aksioneve në kompaninë “Luxury”, në vlerë prej 150 mijë eurosh.