Fjalë Kyçe

Nuk ka ende kërkesë ndërkombëtare për arrestimin e Radoiçiqit

Nuk ka ende kërkesë ndërkombëtare për arrestimin e Radoiçiqit

Organet e hetuesisë në Kosovë thonë se ende janë duke i vazhduar hetimet për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq. Sipas tyre, hetimet nuk po përfundojnë me sukses, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse të Beogradit.

Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në asnjë moment nuk kanë pushuar angazhimet për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq.

“Jemi duke i zhvilluar hetimet. Jemi duke grumbulluar prova me dëshmitarë të ndryshëm të mundshëm dhe në asnjë moment nuk ka pushuar asnjë veprim për rastin konkret, e kam fjalën për veprime procedurale që i kemi për këtë rast”, ka thënë Hoxha.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq, ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, sipas autoriteteve të Kosovës është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të lëshojë urdhër-arrest për Millan Radoiçiqin.

Për kompletimin e dosjes për fletë-arrestim ndërkombëtar, kishte folur më herët ministri në largim i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Por, me gjithë faktin se Tahiri kishte konfirmuar kompletimin e dosjes, fletë-arrestimi nuk është lëshuar ende.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Izmi Zeka, zëvendësministër në largim i Punëve të Brendshme. Ai ka thënë se kjo procedurë shumë shpejt do të përmbyllet.

“Deri më tani nuk është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar për Radoiçiqin. Ne shpresojmë se shumë shpejt do të ketë fletë-arrest ndërkombëtar”, ka deklaruar Zeka për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët kishte deklaruar se Radoiçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se është vërtetuar se ai nuk ka marrë pjesë në vrasje. Ai, madje, kishte thënë se “mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”, por po përpiqet të sigurojë prova materiale.

Në anën tjetër, prokurori Sylë Hoxha ka thënë se mungesa e informacioneve nga autoritetet e Beogradit, po ndikon në mungesën e përparimeve rreth ndriçimit të vrasjes së politikanit serb, Ivanoviq.

“Bashkëpunimi nuk ka qenë korrekt, ato (autoritetet serbe) nuk i kanë sjell provat e kërkuara. Ne kemi kërkuar t’i kemi në dispozicion bisedat që janë zhvilluar përmes telefonit të të ndjerit Ivanoviq dhe personave të tjerë, për të cilët ne kemi dyshuar. Ata (Beogradi) na kanë dhënë disa numra, por jo bisedat. Pasi dihet se pjesa veriore e Kosovës mbulohet nga Telekomi i Serbisë. Kjo ka qenë një ndër pengesat që ka ndikuar. Edhe disa gjëra që janë gjetur në vendngjarje, nuk janë përcjellë në mënyrë korrekte”, ka sqaruar Hoxha.

Pak ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës ia kishte dërguar katër kërkesa Qeverisë së Serbisë.

Edhe autoritetet në Serbi kanë kërkuar nga Prishtina shkëmbim të informatave rreth hetimeve.

Megjithatë, kërkesat në të dyja adresat në fund dolën se u kthyen më shumë në fajësime reciproke sesa në bashkëpunim.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, nën dyshimet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa Radoiçiq, i cili është i kërkuar po ashtu, nuk është gjetur në banesën e tij.

Por, lidhur me këto arrestime, organet në Serbi kanë shprehur dyshime nëse bëhet fjalë për personat që me të vërtetë mund të jenë të dyshuar për këtë rast.