Fjalë Kyçe

Nuk ka paqe në Ballkan nëse Lugina nuk është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Nuk ka paqe në Ballkan nëse Lugina nuk është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, që ‘dridhi’ Kuvendin e Serbisë duke e vendosur flamurin kuqezi e me fjalimin e parë shqip në këtë institucion thotë se qeveria serbe e drejtuar nga Ana Bërnabiq injoron kërkesat politike të Luginës së Preshevës.

Ai, në një intervistë për klankosova.tv, është shprehur se e mirëpret rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se në agjendën e këtij procesi duhet të jetë edhe Lugina Preshevës.

“Nuk besojmë në marrëveshje kuptimplotë nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve do të mbeten tema të patrajtuara. Presim që qeveria në Prishtinë të insistojë në respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Kamberi ka deklaruar se akoma nuk mund të thuhet se shqiptarët e kësaj zone kanë një trajtim adekuat nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

“Jemi në fazën e ekzistimit të vendimeve politike për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës nga qeveria paraprake në Prishtinë, por ajo zyrë akoma nuk është funksionalizuar. Qëndrimi i qeverisë së re nuk është i qartë rreth të ardhmes së kësaj zyre. Do të ketë ajo një program konkret? Do të përcillet edhe me buxhet adekuat për t’u përkrahur ai program?”.

INTERVISTA E PLOTË:

Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës?

Shaip Kamberi: Problemet janë të shumta, prej nënpërfaqësimit nëpër institucionet shtetërore, mungesës së perspektivës ekonomike, mosnjohjes së diplomave nga universitetet e Kosovës, prezencës së përhershme të forcave militare që krijojnë përshtypjen e ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme – këto janë disa nga format e diskriminimit shumëvjeçar të shtetit serb, të cilit po i nënshtrohen shqiptarët.

A ka ndryshuar qasja e Qeverisë së Serbisë ndaj Luginës së Preshevës? A keni mbështetje në ndonjë fushë?

Shaip Kamberi: Edhe Qeveria Bërnabiq 2 vazhdon me qasjen e njëjtë të injorimit të kërkesave politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Edhe kjo përbërje e qeverisë qendrore në Beograd dëshmon politikën dhe qasjen diskriminuese të shtetit serb ndaj kërkesave tona. Pavarësisht se Serbia gjendet në procesin e integrimeve evropiane dhe deklarativisht shprehet se synon anëtarësimin e plotë në BE, ajo vazhdon me tretman diskriminues ndaj shqiptarëve duke i trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Cila është situata me COVID-19 në Luginë të Preshevës? Sa është goditur ekonomia, si dhe a ka doza të mjaftueshme të vaksinave?

Shaip Kamberi: Në këtë aspekt, situata është më e volitshme. Vala e rëndë e COVID-19 që kishte goditur komunat tona në fundvitin e kaluar dhe fillimin e këtij viti dhe që kishte shkaktuar edhe raste të vdekjeve të disa personave në Bujanoc e Preshevë duket se është më mirë, pasi gjatë dy javëve të fundit numri i infeksioneve po bie. Furnizimi me vaksina është i kënaqshëm dhe qytetarët kanë mundësinë e vaksinimit.

Sa ka përkrahje Lugina e Preshevës nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë?

Shaip Kamberi: Akoma nuk mund të themi se kemi një trajtim adekuat nga qeveria në Prishtinë dhe ajo në Tiranë. Jemi në fazën e ekzistimit të vendimeve politike për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës nga qeveria paraprake në Prishtinë, por ajo zyrë akoma nuk është funksionalizuar. Qëndrimi i qeverisë së re nuk është i qartë rreth të ardhmes së kësaj zyre. Do të ketë ajo një program konkret? Do të përcillet edhe me buxhet adekuat për t’u përkrahur ai program?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga qershori do të fillojnë bisedimet për dialogun Kosovë-Serbi. A mendoni se në ekipin negociues të Kosovës do të duhej të kishte edhe përfaqësues të Luginës së Preshevës, si dhe a jeni ftuar nga Qeveria Kurti për të biseduar për pozicionin e Luginës në dialogun Prishtinë-Beograd?

Shaip Kamberi: Është me rëndësi të fillojnë bisedimet që duhet mirëpërgatitur. Shpresoj për një angazhim më të drejtpërdrejtë amerikan së bashku me BE-në që do të ndihmonte edhe marrëveshjen eventuale përfundimtare. Natyrisht, është me rëndësi që fundi i bisedimeve të sjellë procesin e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por që edhe çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e agjendës së re të bisedimeve. Nuk besojmë në marrëveshje kuptimplote nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve do të mbeten tema të patrajtuara. Presim që qeveria në Prishtinë të insistojë në respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.