Një nënë e tetë fëmijëve, nga Kenia, tregon se “gatuante” gurë për fëmijët, me shpresën se ato do t’i zinte gjumi duke pritur ushqimin.
Tashmë që i gjithë vendi është në izolim total, për shkak të koronavirusit, Penianh Bahati Kitsao, shprehet se muaji i kaluar ka qenë një torturë e vërtetë, brenda shtëpisë së saj me dy dhoma të vogla, pa ujë dhe energji elektrike. E papunë si pasojë e situatës, Penianh thotë se shpesh fëmijët i zinte gjumi teksa ajo “gatuante” gurët, por gjithsesi ajo thotë se fëmijët e kuptuan këtë truk të saj.
“Fëmijët filluan të më thonin se unë e gënjeja vazhdimisht. Por s’kam ç’të bëj, nuk kam asgjë për t’i ushqyer”, u shpreh nëna.
Një fqinj i gruas, e bëri viral këtë rast në mediat lokale dhe po ashtu hapi një llogari bankare për të. Fatmirësisht thirrjes së fqinjit, i janë përgjigjur dhjetëra donator, të cilët i kanë dhuruar para familjes në nevojë.