Fjalë Kyçe

“Nuk më paguajnë asnjë cent”, Grenell sqarohet për pagesën e përfolur nga Serbia

“Nuk më paguajnë asnjë cent”, Grenell sqarohet për pagesën e përfolur nga Serbia

Ish-emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka sqaruar pagesën e përfolur nga Serbia për lobim.

Grenell ka mohuar një pretendim të tillë, i cili u ngrit sot nga analisti politik në Serbi, Dushan Janjiq, i cili tha se Serbia e paguan nga 100 mijë dollarë në muaj Richard Grenellin.

“Nuk duhet ti besosh më kurrë kujtdo që ka thënë një gjë të tillë. Nuk është e vërtetë. Ata (Qeveria e Serbisë) nuk më paguajnë mua asnjë cent” – tha Grenell për Gazetën Insajderi.

Ish-i dërguari special për dialogun Kosova-Serbi nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, sipas Janjiqit ky politikan amerikan haptazi mbron interesat e Serbisë sa herë që i jepet rasti.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kanë të drejtë ata që pretendojnë që Vuçiq ka dhënë shuma të majme parash për lobim, Janjiq tha se nuk e di saktë shumën, por sipas tij “janë dhënë shumë para”.

“Ne madje e paguajmë edhe Grenellin nga 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, ka shtuar Janjiq.