Fjalë Kyçe

“Nuk t’kemi thirrë me raportu për Thaçin”, Besnik Bislimi e Xhavit Haliti përplasen në Komisionin për Punë të Jashtme

“Nuk t’kemi thirrë me raportu për Thaçin”, Besnik Bislimi e Xhavit Haliti përplasen në Komisionin për Punë të Jashtme

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po raporton për çështjen e dialogut me Serbinë në një mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme. Aty, ai foli për të arriturat dhe pengesat në këtë proces. Por një pjesë e raportimit të tij nuk i pëlqeu aspak deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit, raporton Gazeta Express.

Haliti tha se Bislimi foli më shumë për ato se çfarë (s’)ka bërë Hashim Thaçi, sesa për punët e Qeverisë në dialog.

“Meqenëse s’është Hashim Thaçi këtu, ti raportove në vend të Hashim Thaçit. Unë kam një mendim timin dhe një qëndrim që raportimet e tilla çojnë në një dezinformim të opinionit, sepse asnjë nga këto nuk qëndrojnë, sepse besoj fort se gjithçka është vendosur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Andaj marrëveshjet e parealizuara nga palët nuk është mirë me ia faturu Hashim Thaçi”, tha Haliti.

“S’është mirë as prej teje, s’është mirë as ne e as opinioni me i dëgju këto gjëra. Po raporton thua se… po ngjan thuajse Hashim Thaçi ia ka dorëzu pavarësinë e Kosovës Serbisë, e nuk e ka fitu pavarësinë e Kosovës me luftë e me paqe. Është diçka që keqkuptohet. Por mediat dhe qytetarët nëse dëgjojnë që të gjitha këto të këqija i paskan ardhë Kosovës nga Hashim Thaçi, atëherë do të duhet vërtetë të gjykohet se çfarë duhet të bëhet me atë njeri. Është e lehtë me thënë sot, kur e ke gjetë të gatshme lirinë, kur po e përfaqëson Kosovën në bisedime, dhe s’po raporton kurrgjë për të arritura. Ne nuk t’kemi thirrë me raportu për Hashim Thaçin. Ne të kemi thirrë me raportu për të arriturat që i ka bë Kosova në bisedimet me Serbinë dhe deri tash raportove për të kaluarën. Unë nuk kuptova diçka që keni arritur në bisedime”, shtoi Haliti.

Në përgjigje, Bislimi tha se janë arritur “marrëveshje të mira” me Serbinë dhe tha se ai ka folur për punën e bërë në dialog.

“Nuk e di a e keni dëgjuar raportimin tim. Unë fola se çka kemi bërë ne për çështjen e targave, energjinë dhe te çështja e të pagjeturve. Nuk e përmenda në asnjë rast z. Thaçi në kontekst të marrëveshjeve që nuk janë zbatu. E përmenda për një marrëveshje që është zbatu. Vetëm te një fjali e përmenda”, tha Bislimi.

Haliti e ndërpreu, duke thënë sërish se Bislimi po flet vetëm për të kaluarën.

“Unë e kuptoj që ju nuk mund t’i arrini ato që dëshironi…. Cilat janë problemet?… Nëse ka pasë shkelje, tradhti, atëherë jam i pari që do ta nënshkruaja cilëndo kërkesë tuajën që të japë llogari kushdoqoftë”, tha ai.

Bislimi tha se ai e dizajnon vetë mënyrën e raportimit.

“Jo çka të duash ti. Ne të bëjmë pyetje. Duam përgjigjen e saktë”, ia ktheu Haliti.