Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, as dje nuk kanë arritur pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.
Duke folur dje pas takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.
“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petar Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.
Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.
Lajçak, ka dalë me njoftim për takimin trepalësh me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për dialogun, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Lajçak ka thënë se është biseduar për zbatimin e aneksit të Ohrit, duke shtuar se nuk ka filluar të zbatohet akoma në subtancë.