Fjalë Kyçe

Nuredin Lushtaku tha se polici në Skenderaj u plagos nga kolegu i tij, IPK-ja thotë ndryshe

Nuredin Lushtaku tha se polici në Skenderaj u plagos nga kolegu i tij, IPK-ja thotë ndryshe

Një zyrtar policor ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe ka marrë lëndime trupore së bashku me një kolegë të tij nga goditjet me mjete të forta që erdhën si pasojë e një debati me disa qytetarë.

Sipas raportimeve në media, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:55 në një pikë të kontrollit policor, ku situata ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit, shkruan lajmi.net.

Në bazë të këtyre raportimeve, në këtë rast është përfshirë edhe ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, por ky i fundit ka mohuar se ai ose familjarët e tij kanë përdorur armë ndaj zyrtarit policor, duke thënë se ai është plagosur nga kolegu i tij.

Por, ndryshe ka thënë për lajmi.net Inspektorati Policor i Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim, IPK-ja ka bërë të ditur se janë njoftuar për këtë rast dhe pas njoftimit zyrtarët e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar, por se kanë theksuar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar, gjë që përgënjeshtron deklaratën e Lushtakut.

“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë se në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pasi në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Në anën tjetër, për rastin në fjalë nuk janë prononcuar ende nga Prokuroria e Shtetit pasi që rasti është ende nën hetime.