Fjalë Kyçe

Nxënës e mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në Gjilan

Nxënës e mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në Gjilan

Disa nxënës të shkollës “Selami Hallaqi” në komunën e Gjilanit si dhe një mësimdhënëse nga kjo shkollë janë infektuar me virusin COVID-19.

Nxënësit e infektuar i përkasin klasës së tretë. Ndërkaq nxënës të infektuar e mësimdhënës ka edhe në shkollën “Hello” që është një institucion privat.

Këto raste janë konfirmuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan.

Epidemiologia Burbuqe Shkodra ka deklaruar se një klasë e shkollës “Selami Hallaqi” ka rezultuar me nxënës të infektuar me COVID-19 dhe është rekomanduar që vijimi i procesit mësimor të realizohet online.

“Këta nxënës janë të klasës së tretë. Prej 34 nxënës të testuar 11 nxënës janë pozitiv, plus mësimdhënësja, kurse 23 nxënës kanë rezultuar negativ. Kurse tek shkolla “Hello” që është privat, 6 mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv, poashtu kemi edhe nxënës të cilët janë infektuar me virusin COVID-19. Krejt shkolla ka shkuar në mësim online” ka thënë ajo.

Për gjendjen e krijuar në shkollën “Selami Hallaqi” ka folur për KOHËN edhe drejtori i këtij institucioni, Florim Maloku.

Ai ka deklaruar se gjendja shëndetësore e nxënësve të infektuar është stabile. Maloku ka deklaruar se janë në pritje të rezultateve edhe për mësimdhënësit e tjerë të cilët janë testuar.

Ai thotë se do të presin instruksionet nga institucionet komunale për të parë mundësinë që procesi mësimor të zhvillohet nga distanca.

“Një klasë e tretë atë e kemi izoluar kur ka dal mësuesja pozitiv. Fëmijët janë në shtëpi dhe mësimi zhvillohet në distancë. Jemi duke pritur shtabin emergjent komunal dhe institutin në qoftë se duhet të vazhdojmë mësimin ose me ndërpre për dy javë. Modeli i pranverës sa i përket mësimit online shumica kemi punuar me zoom dhe jemi të gatshëm që të fillojmë me mësimin nga distanca por të shohim se çfarë do të thonë institucionet” ka thënë ai.

KOHA ka kontaktuar edhe me shkollën “Hello” por ata kanë deklaruar se nuk mund të komentojnë në lidhje me këtë çështje ngase ende nuk kanë pranuar rezultatet e testimeve nga institucionet shëndetësore.