Fjalë Kyçe

“NZZ am Sonntag”: Kosova e Serbia takime sekrete në Zvicër

“NZZ am Sonntag”: Kosova e Serbia takime sekrete në Zvicër

Mediumi zviceran, “NZZ am Sonntag” ka raportuar të shtunën se Zvicra është duke ndërmjetësuar në mënyrë sekrete çështjen mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportimit, Zvicra po përpiqet të parandalojë që konflikti mes të dy vendeve të përshkallëzohet më tej pas tensioneve të fundit në veri që nisën me dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) të Zvicrës ka konfirmuar për “NZZ am Sonntag” se ka pritur përfaqësuesit kosovarë e serbë në Zvicër në mes të nëntorit.

“Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës”, ka konfirmuar zëdhënësja e FDFA, Elisa Raggi, sipas shkrimit. Për arsye konfidencialiteti, FDFA-ja nuk ka treguar se ku saktësisht janë zhvilluar bisedimet.

KOHA ka provuar në mbrëmjen e së shtunës që të marrë deklaratë nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por ai nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Mediumi “NZZ am Sonntag” në fillim të dhjetorit bëri bujë në Kosovë me një raportim me plot manipulime e akuza të pabaza ndaj luftës në Kosovë e edhe ndaj futbollistit shqiptar, Granit Xhaka, për përplasjen e tij me Serbinë në Kupën e Botës në Katar.