Fjalë Kyçe

O’Conell për krimin e organizuar: Arrestimet janë të lehta, dënimet janë të rëndësishme

O’Conell për krimin e organizuar: Arrestimet janë të lehta, dënimet janë të rëndësishme

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell deklaroi sot, se nuk është situatë e mirë nëse në Qeveri ka ministra të akuzuar ose të paditur për veprimtari kriminale, ndërsa ka mirëpritur shkarkimin e dy zyrtarëve të lartë, të cilët së fundit janë larguar nga detyra pasi ishin të akuzuar për krime të rënda.

Ai në një postim në Facebook shkruan se Kosova ka ndërmarrë hapa të vegjël, por pozitiv kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ka nevojë që të ketë përpjekje më serioze që synojnë shkelësit më të këqij.

“Duke pasur ministra të qeverisë që janë akuzuar apo paditur për veprimtari kriminale nuk është një situatë e mirë. Por, është një hap në drejtimin e duhur pasi Qeveria e Kosovës kohët e fundit shkarkoi dy zyrtarë të lartë, të cilët ishin dënuar për krime të rënda”, ka shkruar ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se, arrestimet janë pjesa më e lehtë duke shtuar që dënimet ndaj tyre janë të rëndësishme.

“Kosova ka ndërmarrë disa hapa të vegjël, por pozitivë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Miqtë e Kosovës, ashtu si dhe qytetarët tuaj, kanë nevojë që kjo të bëhet një përpjekje serioze që synon gjithashtu shkelësit më të këqij. Arrestimet janë pjesa e lehtë. Dënimet janë më të rëndësishme”, ka përfunduar ai.