Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, gjatë fjalimit të tij në Prizren për prezantimin e projektit për revitalizimin e rrugës “Marin Barleti”, foli edhe për krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë duke thënë se ata që i mohojnë ato po gënjejnë.
Duke paraqitur të dhënat e luftës së fundit, O’Connell deklaroi se nuk guxojmë të harrojmë dhe të mohojmë të kaluarën, shqiptarët dhe serbët e vrarë, të rënët dhe masakrat që ndodhën para 20 vitesh.
“Konflikti la Kosovën me mbi 10 mijë civilë të vdekur, nga të cilët 8676 ishin shqiptarë të Kosovës, 1196 serbë të Kosovës, 265 romë, ashkali e egjiptianë, 86 boshnjakë, por gjithashtu edhe 2128 ushtarë të UÇK-së, 720 të ushtrisë jugosllave, 364 të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kujtojmë gjithashtu 213 ushtarë të KFOR-it, 1600 persona janë ende të zhdukur dhe ka mijëra viktima të dhunës seksuale. Ne nuk guxojmë të harrojmë Reçakun, Krushën e Madhe, Çerezin, Mejën, Qyshkën, Pavllanin, Zahaqin, Dubravën dhe shumë maskara të tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Ata që e mohojnë, gënjejnë”, deklaroi ambasadori britanik, tranmseton kp.
O’Connell më pas u ndal edhe tek ngjarjet e vitit 2004 për të cilin tha se ishte një periudhë e tmerrshme ku u dogjën kisha ortodokse dhe shtëpi të serbëve të Kosovës. Ai tha se gjyshërit e shokut të tij serb u vranë në banesën e tyre. Ambasadori britanik tha se ata që i mohojnë këto gjithashtu gënjejnë.
Ai shtoi se nëse duam paqe dhe prosperitet duhet gjetur kurajo për të thënë të vërtetën. O’Connell tha se shoqëria kosovare mund të gjejë forcën për t’u marrë me këtë dhimbje dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Sipas tij, nuk duhet të ketë drejtësi vetëm për disa.