Fjalë Kyçe

O’Connell: Ndikimet politike në punësime vazhdojnë, kjo po e shkatërron Kosovën

O’Connell: Ndikimet politike në punësime vazhdojnë, kjo po e shkatërron Kosovën

Korrupsioni dhe nepotizmi janë dy problemet më serioze me të cilat po përballet Kosova.

Kështu ka thënë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell , në një konferencë për projektin e Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe institucione të pavarura.

Sipas tij, ky projekt ka kthim prapa, ngase ndikimet në punësime vazhdojnë të jenë të mëdha, shkruan Gazeta Alo.

“Suksesi i këtij projekti është sukses i Kosovë, por edhe dështimi i tij është i Kosovës. As ne si ambasada as partnerët nuk marrim vendime, vendimet merren nga zyrtarët e Kosovës. Për fat të keq edhe sivjet kemi emërim të pozitave të pakualifikuara. Agjencioni kosovar për Verifikim të Pronave është shembull i tillë”, ka thënë O’Connell.

Ai përmendi edhe një rast sipas të cilit personi edhe pse është i kualifikuar nuk është përzgjedhur sepse nuk ka asnjë lidhje politike.

“Rasti konkret është Enis Berisha ai i cili deri më tani është vlerësuar mirë në shtatë procese madje në disa vende vlerësohet si kandidat me shumë pikë, por asnjëherë nuk është emëruar në asnjë institucion”.

“Një qasje e tillë po shkatërron institucionet siç po shohim me Postën. Ne nuk kemi heqë dorë nga Kosova sepse besojmë në qytetari aktive e cila do kërkojë llogari te të përzgjedhurit e saj. Besojmë se vetëm me profesionalizëm do përmirësohet qeverisja e saj”./Gazeta Alo/